Ramazani, muaji i të gjitha mirësive, mëshirës dhe i faljes

Imam Lavdrim Hamja – Kenosha, 5 gusht 2011

Të gjitha falënderimet e plota i qofshim Allahut, Krijuesit të gjithësisë, i Cili thotë në Kur’an: “… ۖ وَرَحْمَتِي وَسِعَتْ كُلَّ شَيْءٍ ۚ فَسَأَكْتُبُهَا لِلَّذِينَ يَتَّقُونَ Mëshira Ime ka përfshirë çdo gjë, atë do ta shkruaj për ata, të cilët janë të devotshëm.” Paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë për mbi të Dërguarin tonë, Muhammedin (a.s) i cili ka thënë: “Kush e agjëron Ramazanin me besim dhe bindje atij i falen të gjitha gabimet e kaluara.” Paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë për mbi familjen e Pejgamberit (a.s), për mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ecin me devotshmëri në rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Në qoftë se në këtë botë ekziston diçka e mirë dhe me vlerë të madhe, e cila nuk mund të përshkruhen me fjalë, ajo pa dyshim që është muaji i Ramazanit. Sepse, sado që të flasim për mirësitë, begatitë, mëshirën, vlerën, dobitë etj, që ka muaji i Ramazanit, si në këtë botë, por veçanërisht në botën tjetër, kurrë nuk do të mund t’i përfundojmë. Nga cilido anë, ose drejtim të fillosh të flasësh për agjërimin e muajit të Ramazanit, ai është i mbushur me plot mirësi dhe begati. Me të vërtetë, në fillim të kësaj bisede nuk gjej fjalë më të mirë për ta filluar se sa ky hadith i të dashurit tonë, Pejgamberit (a.s) i cili ka thënë:

والصيام لله عز وجل لا يعلم ثواب عامله إلا الله عز وجل (رواه الطبراني – صحيح بشواهده)

“Agjërimi është i Allahut (a.xh) dhe askush nuk e di shpërblimin e agjëruesit, përveç Allahu (a.xh).” (Tabarani – I saktë me transmetime të tjera).

قال رسول الله صلى الله عليه وسلم: “قال الله عز وجل: كل عمل ابن آدم له إلا الصوم، فإنه لي، وأنا أجزي به…

Pejgamberi (a.s) ka thënë: Allahu (xh.sh) thotë: “Çdo punë e birit të Ademit është e tija, përveç agjërimit, ai është i Imi dhe Unë e shpërblej për të…” (Buhariu dhe Muslimi)

Nuk ka nderë dhe vlerësim më të madh për punëtorin, se sa të punojë një punë dhe atë ta marrë Allahu i Lartë për Veten e Tij dhe kjo punë është agjërimi.

﴿ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُواْ كُتِبَ عَلَيْكُمُ الصِّيَامُ كَمَا كُتِبَ عَلى الَّذِينَ مِن قَبْلِكُمْ لَعَلَّكُمْ تَتَّقٌونَ(

“O ju që keni besuar, agjërimi ju është bërë obligim, siç ka qenë obligim edhe për ata që kanë qenë përpara jush, në mënyrë që të bëheni të devotshëm.” (Bekare: 183)

Vëllezër dhe motra besimtarë, kemi hyrë në muajin e mëshirës, muajin e faljes së gabimeve, muajin e pranimit të lutjeve, muajin e shumëfishimit të shpërblimeve, muajin e shërimit prej sëmundjeve trupore dhe shpirtërore, muajin e shpëtimit dhe të mirësive. Prandaj shfrytëzojeni këtë muaj me vepra të mira, me agjërim, me falje, me lexim Kur’ani, me sadaka, me lutje, me harmoni dhe falje për njeri-tjetrin, përpara se Ramazani të shkojë.

Dëgjoni se si i dashuri ynë, Pejgamberi (a.s) e përshkruan muajin e Ramazanit:

قال رسول الله صلي الله عليه وسلم: ( أتاكم رمضان شهر بركة يغشاكم الله فيه فينزل الرحمة و يحط الخطايا و يستجيب فيه الدعاء ، ينظر الله إلي تنافسكم فيه ويباهي بكم ملائكته فأروا الله من أنفسكم خيرا فإن الشقي من حرم فيه رحمة الله عز وجل) رواه الطبراني

“Ju erdhi Ramazani muaji i begative të Allahut në të cilin zbret mëshira, fshihen gjynahet dhe pranohen lutjet. Allahu ju vështron duke bërë gara me njëri-tjetrin në adhurime dhe mburret me ju te engjëjt e Tij, prandaj shpalosni prej vetes suaj vepra të mira, sepse i humbur dhe i dëshpëruar është ai njeri, i cili privohet nga mëshira e Allahut në këtë muaj.” (Tabarani)

Me të vërtetë i humbur dhe i dëshpëruar është ai njeri, i cili brenda këtij muaji të bekuar nuk fiton mëshirë, falje dhe shpëtim.

O besimtarë, Allahu e ka mbushur me të gjitha të mirat këtë muaj. Që nga nata e parë e teravisë, ende pa filluar nga agjërimi Zoti i Madhëruar i ka hapur dyert e mirësive të Tij për ata, të cilët kanë vendosur të përkushtohen gjatë muajit të Ramazanit.

Edhe një herë dëgjoni se çfarë ka dhënë Allahu i Madhëruar, për umetin e Muhammedit (a.s) në muajin e Ramazanit:

عن جابر بن عبد الله قال: قال رسول الله صلى الله عليه وسلم: أعطيت أمتي في شهر رمضان خمساً لم يعطهن نبي قبلي: أما واحدة فإذا كان أول ليلة من شهر رمضان نظر الله تعالى إليهم، ومن نظر الله إليه لم يعذبه أبداً، وأما الثانية: فإن خلوف أفواههم حين يمسون أطيب عند الله من ريح المسك، وأما الثالثة: فإن الملائكة تستغفر لهم في كل يوم وليلة، وأما الرابعة: فإن الله تعالى يأمر جنته فيقول لها: استعدي وتزيني لعبادي، أوشكوا أن يستريحوا من تعب الدنيا إلى داري وكرامتي، وأما الخامسة: فإنه إذا كان آخر ليلة غفر لهم جميعاً، فقال رجل من القوم: أهي ليلة القدر؟ قال: لا، ألم تر إلى العمال يعملون فإذا فرغوا من أعمالهم وفوا أجورهم. (رواه البيهقي، و الإمام أحمد، و البزار)

Xhabiri (r.a) tregon se Pejgamberi (a.s) ka thënë: “I janë dhënë umetit tim pesë gjëra në Ramazan, të cilat nuk iu janë dhënë asnjë pejgamberi përpara meje:

E para: Në natën e parë të Ramazanit, Allahu e shikon umetin tim dhe atë që Allahu e shikon nuk e dënon kurrë.

E dyta: Shija e gojës së agjëruesit në mbrëmje është më e mirë tek Allahu se sa era e miskut.

E treta: Engjëjt kërkojnë falje për ta çdo ditë e natë.

E katërta: Allahu (xh.sh) urdhëron xhenetin e Tij duke i thënë: Përgatitu dhe zbukurohu për robërit e Mi. Pothuajse janë afruar të pushojnë prej lodhjeve të dynjasë për në strehën dhe në xhenetin Tim.

E pesta: Në natën e fundit, Ai i ka falur të gjithë.

Një njeri e pyeti: Ajo natë është nata e Kadrit? Pejgamberi (a.s) tha: Jo, a nuk i ke parë punëtorët, të cilët punojnë dhe kur e përfundojnë punën, atëherë e marrin shpërblimin.” (Bejhakiu, Imam Ahmedi dhe Bezari)

Si mundet njeriu i mençur të largohet prej gjithë këtyre mirësive dhe me të vërtetë, te cili popull tjetër mund të gjenden këto mirësi, përveç në umetin e Pejgamberit tonë (a.s).

O njerëz, mos i humbisni këto shanse, sepse nuk dihet se sa gjatë do të jetojë secili nga ne. Askush nga ne nuk e di dhe nuk e ka të garantuar se a do ta mbërrijë Ramazanin tjetër, madje asnjëri nga ne nuk e ka të sigurt se a do të jetojë të nesërmen për ta agjëruar. Prandaj, agjërimi është detyrë për çdo mysliman, jo se Zoti (xh.sh) ka nevojë për agjërimin tonë, por ne kemi nevojë për të dhe vetëm ne përfitojmë nga kjo detyrë.

Megjithatë kush agjëron me besim, i bindur dhe i vendosur për atë adhurim që është duke kryer, në fund të agjërimi ai njeri pastrohet prej të gjitha gabimeve.

وعن أبي هريرة- رضي الله عنه- قال: قال رسول الله صلى الله عليه وسلم: « إن الله- تبارك وتعالى- فرض صيام رمضان عليكم، وسننت لكم قيامه، فمن صامه وقامه إيماناً واحتساباً خرج من ذنوبه كيوم ولدته أمه » [رواه النسائي].

Ebu Hurejra (r.a) tregon se Pejgamberi (a.s) ka thënë: “Allahu i Lartësuar ju ka bërë obligim agjërimin e Ramazanit, ndërsa unë ju kam bërë synet namazin e tij (teravinë). Kështu që, kush e agjëron Ramazanin dhe falë teravinë, me besim, me bindje dhe vendosmëri, ai njeri del nga Ramazani i pastër nga gabimet, si ditën që e ka lindur nëna e tij.” (Nesaiu)

Po, sa gabime kemi bërë dhe bëjmë çdo ditë! Sa herë ndoshta e kemi hidhëruar Zotin tonë, me gjuhët tona, me shikimet tona, me dëgjimet tona, me veprat tona! Sa herë i kemi thyer urdhrat e Zotit dhe sa detyra ndoshta na kanë ikur pa i mbaruar? Me çfarë tjetër mund t’i fshijmë dhe t’i pastrojmë këto gabime, përveç se me agjërim?!

Allahu i Madhëruar kërkon prej robërve të Tij të sakrifikojnë në jetën e kësaj bote për një jetë më të mirë, qoftë në këtë botë, por edhe në botën tjetër. Të sakrifikosh për hir të Zotit nuk do të thotë vetëm të vdesësh në rrugën e Tij, ashtu siç mendojnë disa njerëz, ndoshta kjo është sakrifica më e lehtë, por të jetosh në rrugën e Tij.

Një dijetar bashkëkohor islam ka thënë: “Nuk më mahnit fakti që disa njerëz thonë dua të vdes në rrugë të Zotit, por më mahnit fakti se përse njerëzit nuk thonë dua të jetoj në rrugë të Zotit.”

Kjo është më se e vërtetë dhe sot kërkohet, veçanërisht brenda muajit të Ramazanit që myslimani të jetojë në rrugën e Zotit brenda këtij muaji. Muaji i Ramazanit tregon se myslimani dëshiron të jetojë në rrugën e Zotit, apo nuk dëshiron të jetojë në rrugën e Tij.

Secili nga ne le të praktikojë për një muaj me rrallë një jetë besimtari, duke kryer plotësisht detyrat ndaj Zotit, duke duruar jo vetëm urinë dhe etjen, por edhe të folurit, zemërimin, shikimin, dëgjimin etj, me qëllim që pas Ramazanit ta ketë më të lehtë vazhdimin e të jetuarit në rrugën e Zotit. Ky është edhe qëllimi i agjërimit, të cilin Allahu na e ka bërë obligimi: “Në mënyrë që të bëheni të devotshëm”, pra të disiplinoheni.

Prandaj Pejgamberi (a.s) ka thënë:

“من لم يدع قول الزور والعمل به، فليس لله حاجةٌ في أن يَدَعَ طعامه وشرابه”. رواه البخاري

“Kush nuk lë fjalët dhe veprat e këqija, Allahu nuk ka nevojë për atë njeri që të lërë ushqimin dhe pijen e tij.” (Buhariu)

Përpara se të dëgjojmë edhe disa hadithe të Pejgamberit (a.s) për mirësinë dhe shpërblimin që ka agjërimi i Ramazanit, le të pyesim veten tonë: Si jam duke agjëruar deri tani? Vetëm nga ushqimi dhe pija, për të cilin Zoti nuk ka nevojë për ne që të rrimë pa ngrënë dhe pa pirë, apo jemi duke agjëruar me gjithë qenien tonë, me të gjitha gjymtyrët dhe me të gjitha shqisat. Në qoftë se jemi duke agjëruar me trup dhe me shpirt, atëherë le të gëzohemi me këto thënie të të dashurit tonë, Muhammedit (a.s) i cili thotë:

عن أبي هريرة رضي الله عنه قال : قال رسول الله صلى الله عليه وسلم : ( من صام رمضان إيمانا واحتسابا ، غُفر له ما تقدم من ذنبه ) رواه الشيخان

“Kush e agjëron Ramazanin me besim, bindje dhe vendosmëri, atij i falen të gjitha gjynahet e kaluara.” (Buhariu dhe Muslimi)

عن سهلـ رضي الله عنهـ عن النبي صلى الله عليه وسلم قال:”إن في الجنة بابا يقال له الريان يدخل منه الصائمون يوم القيامة، لا يدخل منه أحد غيرهم يقال أين الصائمون؟ فيقومون فإذا دخلوا أغلق” [رواه البخاري

“Në xhenet është një derë, e cila quhet Rejjan, përmes saj hynë agjëruesit në Ditën e Kiametit. Askush tjetër nuk hyn, përveç tyre. Thuhet: Ku janë agjëruesit? Ngrihen në këmbë, hynë nga ajo derë, pastaj ajo mbyllet.” (Buhariu)

وعن أبي هريرة – رضي الله عنه – قال : قال رسول الله – صلى الله عليه وسلم – ” ثلاثة لا ترد دعوتهم : الصائم حين يفطر ، والإمام العادل ، ودعوة المظلوم يرفعها الله فوق الغمام ، وتفتح لها أبواب السماء ، ويقول الرب : وعزتي لأنصرنك ولو بعد حين ” ( رواه الترمذي

“Tre lloj njerëzish nuk ju kthehen prapësht lutjet e tyre, ndër to, agjëruesi duke bërë iftar.” (Tirmidhiu)

وعن أبي هريرة رضي الله عنه قال قال رسول الله صلى الله عليه و سلم لو أن رجلا صام يوما تطوعا ثم أعطي ملء الأرض ذهبا لم يستوف ثوابه دون يوم الحساب”. رواه أبو يعلى والطبراني

“Sikur një njeri të ketë agjëruar një ditë nafile, vullnetare, pastaj t’i jepet toka e mbushur me flori, nuk e ka marr shpërblimin që meriton, përveç se në Ditën e Llogarisë.” (Ebu Jeala dhe Tabarani)

Vëllezër dhe motra, të mos harrojmë se çdo vepër të mirë që punojmë brenda muajit të Ramazanit ajo shpërblehet shumë herë më tepër se sa jashtë Ramazanit, prandaj le t’i shtojmë sa më shumë veprat e mira.

Ndoshta ka qenë kaderi i Zotit që projekti dhe plani për fillimin e zgjerimit të parkingut të xhamisë të realizohet me fillimin e muajit të bekuar të Ramazanit, në mënyrë që Allahu të na i shumëfishojë kontributet tona për përfundimin sa më shpejt dhe në formën e duhur të këtij projekti të domosdoshëm për jetën e xhamisë. Mos ngurroni të jepni prej asaj që Zoti ju ka dhënë, sepse do të shpërbleheni për të dhe mirësia dhe begatia e saj kurrë nuk ka për të mbaruar, sa të jeni gjallë në këtë botë, por edhe pas vdekjes. Ajo që japin për hir të Zotit, ajo gjë ka për të na i zbardhur fytyrat tona atë ditë kur do të dalim për të dhënë llogari. Jepni pra, Zoti jua shtoftë pasurinë, mirësinë dhe begatitë e Tij dhe ju shpërbleftë me të mira në dynja dhe në ahiret. Amin

Be the first to comment

Leave a Reply