Detyrat e myslimanit ndaj myslimanit

Nga: Imam Lavdrim Hamja – Kenosha, 17 dhjetor 2010

Është prej mirësisë dhe mëshirës së Zotit (xh.sh) që na ka bashkuar duke na bërë vëllezër me njëri-tjetrin, prandaj duhet ta falënderojmë për këtë gjë. Por, ashtu si për çdo gjë ka rregulla, detyra dhe të drejta, ashtu edhe vëllazëria myslimane ka rregulla, detyra dhe të drejta ndaj njëri-tjetrit.


I dashuri ynë, Pejgamberi (a.s) na njofton se myslimani ndaj myslimanit ka 6 detyra. Transmeton Ebu Hurejra (r.a) se Pejgamberi (a.s) ka thënë:

عن أبي هريرة رضي الله عنه قال: قال رسول الله صلى الله عليه وسلم : “حق المسلم على المسلم ست: قيل: وما هنّ يا رسول الله؟ قال: إذا لقيته فسلّم عليه. وإذا دعاك فأجبه، وإذا استنصحك فانصح له، وإذا عطس فحمد الله فشَمِّته. وإذا مرض فعُدْه، وإذا مات فاتْبَعه” رواه مسلم. هذه الحقوق الستة من قام بها في حقّ المسلمين كان قيامه بغيرها أولى. وحصل له أداء هذه الواجبات والحقوق التي فيها الخير الكثير والأجر العظيم من الله.

“Detyrat e myslimanit ndaj myslimanit janë gjashtë”. Dikush e pyeti: Cilat janë ato, o i Dërguar i Allahut? Tha:


1. “Kur ta takosh ta përshëndetësh me selam.
2. Kur të thërret, të fton t’i përgjigjesh.
3. Kur të kërkon këshillë ta këshillosh.
4. Kur teshtihet dhe falënderon Allahun, lute Zotin për të.
5. Kur sëmuret vizitoje
6. dhe kur të vdesë merr pjesë në xhenazen e tij”.

1. “Kur ta takosh ta përshëndetësh me selam:

Është prej edukatës islame dhe njerëzore që kur dy persona takohen me njëri-tjetrin të përshëndetën, ndërsa për myslimanin Zoti i madhëruar ka zgjedhur një përshëndetje të veçantë, e cila nuk është vetëm përshëndetje, por edhe lutje për njëri-tjetrin. Allahu i madhëruar thotë në Kur’an:

(وَإِذَا حُيِّيتُمْ بِتَحِيَّةٍ فَحَيُّوا بِأَحْسَنَ مِنْهَا أَوْ رُدُّوهَا إِنَّ اللَّهَ كَانَ عَلَى كُلِّ شَيْءٍ حَسِيباً (86)

“Kur dikush ju përshëndet, atëherë përshëndeteni me një përshëndetje më të mirë, ose të njëjtë me të. Allahu merr në llogari për çdo gjë”[1].
Madje Pejgamberi (a.s) na ka treguar se përshëndetja me selam është shkak për të hyrë në xhenet, prandaj nuk duhet të neglizhojmë në këtë gjë.

قال صلى الله عليه وسلم : “والذي نفسي بيده، لا تدخلوا الجنة حتى تؤمنوا. ولا تؤمنوا حتى تحابوا. أفلا أدلكم على شيء إذا فعلتموه تحاببتم؟ أفشوا السلام بينكم” أخرجه مسلم

“Pasha Atë që shpirti im është në dorën e Tij, nuk do të hyni në xhenet derisa të besoni dhe nuk besoni derisa të doni njëri-tjetrin. A doni t’ju tregoj për diçka, të cilën në qoftë se e veproni do të doni njëri-tjetrin? Përshëndeteni me selam njëri-tjetrin”[2]. Kështu që përshëndetja e myslimanit është detyrë për myslimanin.

2. Kur të thërret, të fton t’i përgjigjesh:

Ndoshta duket diçka e parëndësishme, por kjo detyrë është për jo thjesht përgjigje e ftesës, por përgjigje e respektit dhe nderit me respekt dhe nder. Prandaj kur ndonjë prej vëllezërve tuaj mysliman të bërë ftesë për të marrë pjesë në diçka që ai e ka organizuar, atëherë e ke për detyrë t’i përgjigjesh ftesës së tij, përveç nëse je i zënë me punë dhe nuk ke mundësi të shkosh, ose në qoftë se ajo për të cilën të ka ftuar është në kundërshtim me kënaqësinë e Zotit. Sepse Pejgamberi (a.s) ka thënë:

عن علي رضي الله عنه قال: قال رسول الله صلى الله عليه وسلم : “لا طاعة في معصية. إنما الطاعة في المعروف” متفق عليه.

“Nuk ka bindje në gjynah. Bindja është për gjëra të mira”[3].

3. Kur të kërkon këshillë ta këshillosh:


عن أبي تميم بن أوس رضي الله عنه ، أن النبي صلى الله عليه وسلم قال : ( الدين النصيحة ، قلنا : لمن يا رسول الله ؟ قال : لله ، ولكتابه ، ولرسوله ، ولأئمة المسلمين وعامتهم ) رواه البخاري و مسلم .

Temim ibn Ebi Euvs (r.a) transmeton se Pejgamberi (a.s) ka thënë: “Feja është këshillim. I thamë: Për kë, o i Dërguar i Allahut? Tha: “Për Allahun, për Librin e Tij, për të Dërguarin e Tij, për imamët (prijësit) e myslimanëve dhe masën e tyre”[4].

Këshillimi është prej detyrave shumë të rëndësishme, pasi kjo gjë ka të bëjë me gjëra që kanë lidhje me këtë botë, por edhe me botën tjetër. kështu që, kur një mysliman të kërkon ndihmë për ta këshilluar, atëherë duhet të japësh maksimumin tënd që ta këshillosh, ashtu si ti do të kishe dëshirë që ty të këshillonte dikush tjetër. në qoftë se është duke bërë një punë të dobishme, nxite më tepër që ta punojë atë punë, ndërsa në qoftë se është duke bërë një punë jo të mirë, atëherë ndaloje prej asaj pune. Gjithashtu në qoftë se të kërkon ndonjë mendim për martesë, tregti etj, tregoju i gatshëm për ta këshilluar dhe ndihmuar dhe mjerë për ty në qoftë se e mashtron, sepse mashtrimi është prej gjërave të urryera dhe prej gjërave të dënueshme. Pejgamberi (a.s) ka thënë:

قال رسول الله صلى الله عليه وسلم :{ من غشنا فليس منا } وفي رواية: { ليس منا من غشنا } [رواه مسلم].

“Kush na mashtron neve, ai nuk është prej nesh”. Ndërsa në një transmetim tjetër: “Nuk është prej nesh ai që na mashtron neve”[5].

4. Kur teshtihet dhe falënderon Allahun, lute Zotin për të:

Teshtitja është prej mirësive të Zotit (xh.sh) ndaj njeriut, sepse kur njeriu teshtihet, me anë të saj dalin prej trupin me mijëra e miliona mikrobe, prandaj jemi të urdhëruar ta falënderojmë Krijuesin tonë për këtë mirësi, sepse trupi jonë, pa vetëdije, nxjerr jashtë mbeturina të dëmshme në formë mikrobesh. Kështu që kur një njeri teshtihet dhe falënderon Zotin, pra thotë: Elhamdulilah, ne e kemi detyrë të lutemi për duke i thënë: Jerhamukellah (Zoti të mëshiroftë) dhe personi në fjalë përsëri të thotë: Jehdina ve jehdikumullah (Zoti na udhëzoftë neve dhe juve).

5. Kur sëmuret vizitoje:

Prej të detyrave që ke ndaj vëllait tënd mysliman është edhe kur ai sëmuret ta vizitosh. Kjo është e drejta e vëllazërisë dhe e lidhjes islame. Gjithashtu në kë gjë ka edhe shpërblim të madh, të cilin njeriu i kujdesshëm nuk e lë pa i shtuar të mirat që përfiton nga vizitimi i të sëmurit[6]. I dashuri jonë, Pejgamberi (a.s) ka thënë:

عن ثوبان مولى رسول الله صلى الله عليه وسلم قال قال رسول الله صلى الله عليه وسلم : من عاد مريضا لم يزل في خرفة الجنة حتى يرجع .

“Kur myslimani viziton vëllain e tij të sëmurë, ai është në fitim të xhenetit derisa të kthehet”[7]. Përsëri Pejgamberi (a.s) ka thënë:

عن جابر بن عبد الله قال قال رسول الله صلى الله عليه وسلم : من عاد مريضا لم يزل يخوض في الرحمة حتى يجلس فإذا جلس اغتمس فيها .
“Kush viziton një të sëmurë ai është futur në mëshirë derisa të ulet dhe kur të ulet ai zhytet plotësisht në të”[8].

6. dhe kur të vdesë merr pjesë në xhenazen e tij:

Përcjellja dhe marrja pjesë në xhenazen e myslimanit është detyra e fundit, të cilën ia kemi borxh njëri-tjetrit. Nuk është thjesht pjesëmarrje në një ceremoni, por shumë më tepër se sa kaq. Fillimisht është lutje dhe kërkim mëshire për të vdekurin, sepse Pejgamberi (a.s):

عن عثمان رضي اللّه عنه قال: كان النبي صلى الله عليه وسلم إذا فرغ من دفن الميت وقف عليه فقال :” استغفروا لأخيكم وسلوا له التثبيت فإنه الآن يُسأل (سنن أبي داود والبيهقي، بإسناد حسن

Kur përfundonte varrosjen e të vdekurit thoshte: “Kërkoni falje për vëllain tuaj dhe lutuni për të, sepse ai tani është duke u pyetur”[9].

Ndërsa, së dyti, kur marrim pjesë në përcjelljen e xhenazes është shpërblim dhe fitim për ne. Pejgamberi (a.s) ka thënë:

عن أبي هريرة رضي الله عنه قال : قال رسول الله صلى الله عليه وسلم : ( مَنْ شَهِدَ الْجَنَازَةَ حَتَّى يُصَلَّى عَلَيْهَا فَلَهُ قِيرَاطٌ ، وَمَنْ شَهِدَهَا حَتَّى تُدْفَنَ فَلَهُ قِيرَاطَانِ . قِيلَ : وَمَا الْقِيرَاطَانِ ؟ قَالَ : مِثْلُ الْجَبَلَيْنِ الْعَظِيمَيْنِ ) رواه البخاري (1325) ومسلم (945)

“Kush merr pjesë në përcjelljen e xhenazes derisa të falet namazi i saj, ai ka një kirat shpërblim dhe kush merr pjesë derisa të varroset, ai ka dy kirate me shpërblim”. Dikush e pyeti: Sa janë dy kirate? Tha: “Janë sa dy male të mëdhenj”[10].

Vëllezër dhe motra besimtarë, këto ishin disa prej detyrave që myslimani ka ndaj myslimanit. Në mënyrë që ardhja jonë në xhami, veçanërisht ardhja jonë ditën e xhuma, të ketë dobi dhe të ndikojë në rritjen e vlerave të shoqërisë islame duhet që detyrat javore të xhumasë të kryhen plotësisht dhe në kohë. Zoti (xh.sh) na ka nderuar duke na zgjedhur të jemi prej robërve të Tij të bindur, prandaj këtë nder ta mbajmë duke e praktikuar në jetën tonë të përditshme dhe mes njëri-tjetrit. Zoti na ndihmoftë dhe na udhëzoftë. Amin


[1] Nisaë: 86.
[2] Transmeton Muslimi.
[3] Mutefekun alejhi.
[4] Transmeton Buhariu dhe Muslimi.
[5] Transmeton Muslimi.
[6] Min edebil islam, prof. Abdulfetah Ebu Gudde.
[7] Transmeton Muslimi dhe të tjerë.
[8] Transmeton Imam Ahmedi dhe Ibn Hibani në Sahihun e tij.
[9] Transmeton Ebu Davudi dhe Bejhakiu me sened të mirë.
[10] Transmeton Buhariu dhe Muslimi.

Be the first to comment

Leave a Reply