Zekati është prej detyra më madhore Islamit

Nga: Imam Lavdrim Hamja – Kenosha, 19.8. 2011

Të gjitha falënderimet dhe lavdërimet i qofshin Allahut, i Cili na udhëzoi në rrugën e besimit, sepse të mos na kishte udhëzuar Ai, ne do të ishim prej të humburve. O Zot i Madh Ty të falënderojmë për fjalën Tënde që ke thënë në Kur’an: “Asnjë njeriu nuk e di, se çfarë kënaqësie do të ketë në botën tjetër, si shpërblim për ato të mira që ka punuar.” Salavatet dhe selam qofshim për mbi Pejgamberin tonë, Muhammedin (a.s), i cili ka thënë: “Allahu (xh.sh) ka përgatitur në xhenet, për robërit e Tij besimtarë, kënaqësi që syri nuk i ka parë, veshi nuk i ka dëgjuar dhe as mendja nuk i ka menduar.” Paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë për mbi familjen e Pejgamberit (a.s), shokët e tij dhe për mbi të gjithë ata që ecin në rrugën e tij deri në ditën e gjykimit.

Nuk ka më mirë për njeriun, si për këtë botë, ashtu edhe për botën tjetër, se sa t’i bindet dhe t’i nënshtrohet Krijuesit të tij, i Cili për robërit e Tij besimtarë ka përgatitur shpërblime dhe mirësi të pafundme.

Ai (xh.sh) na bën thirrje duke na nxitur që të shpejtojmë e të nxitojmë drejt veprave të mira, të cilat do të na japin parajsën sa qielli e toka. Dëgjoni se si thotë Zoti i Madhëruar:

وَسَارِعُوا إِلَى مَغْفِرَةٍ مِنْ رَبِّكُمْ وَجَنَّةٍ عَرْضُهَا السَّمَاوَاتُ وَالأَرْضُ أُعِدَّتْ لِلْمُتَّقِينَ الَّذِينَ يُنْفِقُونَ فِي السَّرَّاءِ وَالضَّرَّاءِ وَالْكَاظِمِينَ الْغَيْظَ وَالْعَافِينَ عَنِ النَّاسِ وَاللَّهُ يُحِبُّ الْمُحْسِنِينَ.

“Shpejtoni në magfiretin e Zotit tuaj dhe për në xhennet, gjerësia e të cilit është si gjerësia e qiejve dhe e tokës, i përgatitur për të devotshmit. Ata të cilët japin kur janë në mirësi dhe kur janë në vështirësi, të cilët e mbajnë mllefin dhe ata që i falin njerëzit. Allahu i do bamirësit.” (Ali Imran: 133-134)

Që të fitojmë gjithë këto të mira, të cilat Zoti (xh.sh) i ka përgatitur për besimtarët, duke të kemi parasysh se gjëja e parë që duhet të kryejmë janë detyrat që Ai na i ka obliguar, pastaj mund të kalojmë, sipas mundësive të tona te vepra të tjera të mira dhe vullnetare. Kjo është një gjë shumë e rëndësishme, sepse ka prej nesh, ka myslimanë të tillë që lënë detyrat, pra farzet pa kryer dhe bëjnë gjëra të tjera të pëlqyeshme, synete duke menduar se ashtu fitohet kënaqësia dhe xheneti i Zotit. Këtë gjë na sqaron më së miri hadithi i Pejgamberit (a.s) i cili thotë:

عن أبي هريرة – رضي الله عنه – قال : قال رسول الله صلى الله عليه وسلم – إن الله تعالى قال : من عادي لي وليا فقد آذنته بالحرب ، وما تقرب إلي عبدي بشيء أحب إلي مما افترضت عليه ، و لا يزال عبدي يتقرب إلي بالنوافل حتى أحبه ، فإذا أحببته كنت سمعه الذي سمع به و بصره الذي يبصر به ، و يده التي يبطش بها ورجله التي يمشي بها و لئن سألني لأعطينه ، و لئن استعاذني لأعيذنه –رواه البخاري .

“Allahu i Lartësuar thotë: “… Asnjë njeri nuk afrohet tek Unë me diçka më të dashur se sa me atë që ia kam bërë detyrë, pastaj ai vazhdon të më afrohet edhe më tepër me gjëra vullnetare, nafile…” (Buhariu)

Elhamdulilah jemi në muajin e Ramazanit dhe myslimanët kudo që ndodhen brenda këtij muaji të begatë i shtojnë veprat e mira dhe sadakatë e tyre dhe sigurisht ata do të marrin shpërblim të shumëfishuar te Zoti (xh.sh). Gjithashtu nuk duhet të harrojmë se është detyrë për çdo mysliman të pasur, që përpara se të japë sadaka, ai duhet të kryej detyrën e dhënies së zekatit. Në Islam punët janë sipas qëllimit, kështu që sado që një njeri të japë prej pasurisë së tij, por nuk e ka dhënë me nijet zekatit, ai njeri nuk e ka kryer detyrën që Zoti ia ka ngarkuar.

Zekati është prej detyra më madhore të fesë Islame, i cili rregullon gjithë anën financiare dhe ekonomike të shoqërisë islame. Zoti i Madhëruar na ka urdhëruar në Kur’anin famëlartë duke thënë:“Dhe faleni namazin e jepeni zekatin” (Bekare: 34), ndërsa Pejgamberi (a.s) kur e pyeti Xhibrili (a.s) se çfarë është Islami, ai iu përgjigj: “Islami është të dëshmosh se nuk ka zot tjetër, përveç Allahut dhe se Muhammedi është i dërguari i Tij, të falësh namazin, të japësh zekatin, të agjërosh Ramazanin dhe të bësh haxhin, n.q.s ke mundësi.” (Muslim)

Le ta kuptojmë mirë, të nderuar vëllezër dhe motra se zekati është njëri prej farzeve më të mëdha Islamit, me të cilin afrohemi tek Allahu. Ai (xh.sh) e ka bërë obligim zekatin për dy qëllime tepër të rëndësishme për jetën e njeriut: Për të pastruar shpirtin dhe pasurinë, shpirtin prej lakmisë dhe koprracisë, ndërsa pasurinë prej haramit dhe gabimeve të ndryshme.

{خُذْ من أموالهم صدقة تُطَهّرهم وتُزكيهم بها}

“Merr prej pasurisë së tyre sadaka, për t’i pastruar shpirtin dhe për tua shtuar të mirat.” (Toube: 103)

Detyrat e Islamit kanë funksione të caktuara dhe të përcaktuar në jetën e individit dhe të shoqërisë myslimane dhe çdo neglizhim, ose keq zbatim i këtyre detyra çon në prishjen e ekuilibrit qiellor duke shkaktuar probleme dhe trazira në jetën e njerëzve. Kështu që, kur një mysliman nuk e kryen detyrën e tij të caktuar prej Zotit (xh.sh), ai mysliman jo vetëm se ka bërë një gjynah të madh, pasi nuk i është bindur urdhrit të Krijuesit, por njëkohësit ka gjynah tjetër, sepse ka shkaktuar çrregullime në sistemin ekonomik dhe financiar të shoqërisë dhe shtetit islam, duke krijuar varfëri dhe mungesa investimesh në fusha e ndryshme të jetës. N.q.s myslimanët nuk e japin zekati, atëherë me çfarë do të paguhen grupet përfituese të zekatit, të cilat janë caktuar prej Zotit (xh.sh).

{إنما الصدقات للفقراء والمساكين والعاملين عليها والمؤلَّفة قلوبُهم وفي الرقاب والغارمين وفي سبيل الله وابن السبيل فريضةً من الله والله عليم حكيم}

“Zekati është për të varfrit, fukaranë, punonjësit që merren me zekat, zemërdobëtit, skllevërit, borxhliun, për rrugën e Zotit, për të mbeturin në rrugë; detyrë prej Allahut. Allahu është i Ditur dhe i Urtë.” (Toube: 60)

Në qoftë se ne sot nuk e paguajmë zekatin, atëherë me çfarë do të mbahen shkollat, spitalet, vakëfet, xhamiat, jetimoret, azilet etj, etj.? Prandaj i ka mbuluar varfëria, skamja dhe injoranca vendet myslimane, të cilat i njohin ligjet e Zotit, por nuk i zbatojnë ato.

قال رسول الله صلى الله عليه و سلم: يا معشر المهاجرين خمس خصال أعوذ بالله أن تدركوهن : ما ظهرت الفاحشة في قوم حتى أعلنوا بها إلا ابتلوا بالطواعين والأوجاع التي لم تكن في أسلافهم الذين مضوا ، ولا نقص قوم المكيال والميزان إلا ابتلوا بالسنين وشدة المئونة وجور السلطان ، وما منع قوم زكاة أموالهم إلا منعوا القطر من السماء فلولا البهائم لم يمطروا ، ولا خفر قوم العهد إلا سلط الله عليهم عدوا من غيرهم فأخذوا بعض ما في أيديهم ، وما لم تعمل أئمتهم بما أنزل الله في كتابه إلا جعل الله بأسهم بينهم .

Pejgamberin (a.s), ka thënë: “O muhaxhirin, pesë gjëra e lus Allahun të mos i arrini:

1. Kur të shfaqet hapur imoraliteti në një popull, atëherë ata do të sprovohen me sëmundje dhe dhimbje që nuk ka qenë kurrë më parë.

2. Kur njerëzit të mashtrojnë në matje dhe në peshore, atëherë do të sprovohen me vite të vështira, mungesë ushqimi dhe diktatura.

3. Kur njerëzit të ndalojnë dhënien e zekatit të pasurisë së tyre, atëherë do t’u ndalohet shiu prej qiellit dhe sikur të mos ishin kafshët kurrë nuk do tu binte shi.

4. Kur njerëzit thyejnë besën dhe premtimet, atëherë Allahu do tu çojë udhëheqës nga jashtë, të cilët do tu grabisin pasurinë e tyre.

5. Dhe kur imamët të mos punojnë me atë që Allahu e ka zbritur në Librin e Tij, atëherë Allahu do tu hedhë mes tyre përçarje dhe armiqësi.” (Ibn Maxhe)

Ndërsa Muhammed Reshid Rida, në komentimin e tij të ajetit të zekatit ka thënë: “Islami, me obligimin e zekatit, dallohet mbi të gjithë fetë dhe ligjet e tjera. Këtë gjë e pohojnë edhe intelektualët dhe njerëzit e mençur prej tërë botës. Sikur myslimanët ta kishin kryer siç duhet këtë shtyllë të fesë, në mesin e tyre nuk do të gjendej asnjë i varfër, fukara dhe nevojtar, sepse Zoti u ka dhënë begati dhe mirësi të pafundme, por pjesa më e madhe e tyre e kanë lënë këtë obligim. Si rrjedhojë e këtij neglizhimi, ata kanë korrur frytet të tilla duke u bërë populli me gjendjen më të keqe ekonomike dhe politike. Ata kanë humbur sundimin, dinjitetin dhe nderin duke u bërë vartës dhe nevojtar të popujve të tjerë, madje edhe në edukimin dhe arsimimin e bijve të tyre.

Në qoftë se ndonjërit prej tyre do t’i thuhej: Përse nuk themeloni për veten tuaj shkolla të tilla, që predikuesit, murgjërit dhe ateistët kanë themeluar për parimet e tyre? Ata do të përgjigjen: Ne nuk kemi mundësi financiare për një gjë të tillë! E vërteta është se ata nuk gjejnë dhe nuk marrin prej fesë mendjen, energjitë dhe xhelozinë për të bërë diçka të tillë. Ata i shikojnë bijtë e feve dhe popujve të tjerë, të cilët shpenzojnë dhe kontribuojnë për shkollat, universitet, dhe organizatat bamirëse dhe politike, për të cilat feja e tyre nuk i ka obliguar, por i ka obliguar mendja dhe xhelozia e tyre për kombin dhe racën. Myslimanët kënaqen të jenë vartës dhe nevojtar! Lanë fenë e tyre dhe me këtë humbje të fesë ata humbën edhe dynjanë: “Harruan Allahun dhe Ai i bëri të harrojnë vetveten. Të tillët janë mëkatarë.” (Hashr: 19)

Me të vërtetë, sikur të gjithë myslimanët, ose pjesa më e madhe e tyre të jepnin rregullisht zekatin dhe ta shpërndanin në mënyrë të rregullt atë, do të ishte e mjaftueshme për rikthimin e krenarisë Islamit. Madje, do të ishte e mjaftueshme për rikthimin e asaj që popujt e tjerë kanë grabitur prej vendeve islame dhe shpëtimin e myslimanëve nga skllavëria e vartësisë. E gjitha kjo duke nxjerrë prej pasurisë së tyre 2.5% të prej tepricës së nevojës së njerëzve të pasur.” (Tefsiri Menar, vëll. 20)

Të nderuar vëllezër dhe motra besimtarë, vërtetë njerëzit e varfër dhe nevojtarë kanë uri dhe nevojë për ndihmë gjatë gjithë vitit dhe jo vetëm në Ramazan, por muaji i bekuar i Ramazanit është koha dhe mundësia më e mirë për nxjerrjen e zekatit, kësaj detyre madhore të fesë. Mos harroni se Zoti (xh.sh) nuk ka nevojë për pasurinë tuaj, madje është Ai, i Cili iu dha në duar tuaja këtë pasuri dhe një ditë patjetër do të pyeteni për të, prandaj zbatoni urdhrin e Tij duke shpejtuar në dhënien e zekatit. Ai (xh.sh) ka për t’ju shpërblyer shumëfish me këtë gjë, do t’jua shtojë të mirat, nuk do të keni frikë e as dëshpërim dhe do t’ju shtijë në xhenet. Dëgjoni në qoftë se dëshironi premtimin e Tij:

إنَّ الذين ءامنوا وعملوا الصالحات وأقاموا الصلاة وءاتوا الزكاة لهم أجرهم عند ربهم ولا خوف عليهم ولا هم يحزنون}

“Nuk ka dyshim se ata që besuan dhe bënë vepra të mira, falën namazin dhe dhanë zekatin, ata kanë shpërblim të madh te Zoti i tyre dhe ata nuk do të kenë frikë e as dëshpërim.” (Bekare: 277)

Ka njerëz që ligjet dhe urdhrat e kësaj bote i zbatojnë nga frika që kanë prej dënimeve dhe taksave të saj, ndërsa njerëz të tjerë i zbatojnë këto rregulla dhe ligje nga edukata, ndjenja dhe morali i tyre. E njëjta gjë vlen edhe për detyrat dhe ligjet e Islamit. Zoti (xh.sh) dhe Pejgamberi (a.s), si në Kur’an ashtu edhe në hadithet e tij tregojnë dënimin që ka njeriu kur nuk zbaton ligjet, por tregojnë edhe shpërblimin e madh që ka ai njeri, i cili i zbaton këto urdhra dhe ligje. Prandaj, për të mos u zgjatur më shumë, duke ditur se tema e zekatit është një temë e gjatë dhe e rëndësishme dhe nuk mund të mbarojmë me një hytbe, por përmendi disa ajete dhe hadithe, të cilat tregojnë dënimin e atij që nuk e jep zekatin, por edhe shpërblimin dhe mirësinë e atij që e jep zekatin.

{والذين يَكْنِزُون الذهبَ والفضةَ ولا يُنفقونها في سبيل الله فبشرهم بعذاب أليم

“Ata të cilët e ruajnë arin e argjendin e nuk e japin për në rrugën e Allahut (pra e ruajnë pasurin dhe nuk e japin zekatin), lajmëroji për një dënim të dhëmbshëm. (Toube: 34)

إنَّ الذين ءامنوا وعملوا الصالحات وأقاموا الصلاة وءاتوا الزكاة لهم أجرهم عند ربهم ولا خوف عليهم ولا هم يحزنون}

“Nuk ka dyshim se ata që besuan dhe bënë vepra të mira, falën namazin dhe dhanë zekatin, ata kanë shpërblim të madh te Zoti i tyre dhe ata nuk do të kenë frikë e as dëshpërim.” (Bekare: 277)

Hadithet e Pejgamberit (a.s) janë të shumta, por për arsye të kohës, por përmendi vetëm një:

وعن أبى هريرة: أَنَّ أَعْرَابِيًّا أَتَى النَّبِيَّ صلى الله عليه وسلم فَقَالَ دُلَّنِي عَلَى عَمَلٍ إِذَا عَمِلْتُهُ دَخَلْتُ الْجَنَّةَ قَالَ: «تَعْبُدُ اللَّهَ لَا تُشْرِكُ بِهِ شَيْئًا وَتُقِيمُ الصَّلَاةَ الْمَكْتُوبَةَ وَتُؤَدِّي الزَّكَاةَ الْمَفْرُوضَةَ وَتَصُومُ رَمَضَانَ قَالَ وَالَّذِي نَفْسِي بِيَدِهِ لَا أَزِيدُ عَلَى هَذَا فَلَمَّا وَلَّى قَالَ النَّبِيُّ صلى الله عليه وسلم مَنْ سَرَّهُ أَنْ يَنْظُرَ إِلَى رَجُلٍ مِنْ أَهْلِ الْجَنَّةِ فَلْيَنْظُرْ إِلَى هَذَا»(البخاري و مسلم

Një njeri erdhi te Pejgamberi (a.s) dhe i tha: Më trego për një punë, të cilin në qoftë se e veproj do të hyjë në xhenet. Pejgamberë (a.s) i tha: “Adhuroje Allahu dhe mos i shoqëro Atij asgjë. Fale namazin farz, jepi zekatin farz dhe agjëro muajin e Ramazanit”. Beduini tha: Pasha Atë që shpirti im është në dorën e Tij nuk kam për t’i shtuar gjë këtyre që më the. Kur beduini u largua, Pejgamberi (a.s) tha: “Kush dëshiron të kënaqet duke parë një njeri prej xhenetit, le të shikojë atë person.” (Buhariu dhe Muslim)

O Zoti ynë, na e prano agjërimin, namazin, zekatin dhe na i fal gabimet dhe të metat tona, ja Rabbel alemin. Amin!

Be the first to comment

Leave a Reply