Allahu urdhëron për drejtësi dhe ndalon nga padrejtësia

Nga: Imam Lavdrim Hamja – Kenosha, 11 nëntor 2011

Falënderimi i plotë i qoftë Allahut, i Cili ngriti qiejt e shtroi tokën dhe vendosi drejtësi në to. Lavdia dhe Madhështia i qofshin vetëm Atij (xh.sh), i Cili thotë në Kur’anin famëlartë:

وَإِذَا قُلْتُمْ فَاعْدِلُوا وَلَوْ كَانَ ذَا قُرْبَىٰ ۖ وَبِعَهْدِ اللَّـهِ أَوْفُوا ۚ ذَٰلِكُمْ وَصَّاكُم بِهِ لَعَلَّكُمْ تَذَكَّرُونَ ﴿١٥٢﴾

“Dhe, kur të flisni, bëhuni të drejtë, qoftë edhe kundër të afërmve tuaj. Dhe, mbajeni besën e Allahut. Me këto Ai ju porosit juve në mënyrë që të përkujtoni.” (En’am: 152)

Salavatet dhe selamet qofshin për mbi zotërinë e njerëzimit, profetin e drejtësisë dhe të mëshirës, Muhammedin (a.s), i cili na porosit duke thënë:

«اتقوا الظلم؛ فإن الظلم ظلمات يوم القيامة» (رواه مسلم)

“Mos bëni padrejtësi, sepse padrejtësia është errësirë në Ditën e Kiametit.”(Muslim)

Paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi familjen e pastër të Pejgamberit (a.s), mbi shokët e tij që ecën me drejtësi në atë rrugë dhe mbi të gjithë ata që ecin në rrugën e drejtë deri në Ditën e Gjykimit.

Allahu i Madhëruar me shpalljen e Kur’anit solli drejtësinë në tokë duke e konsideruar përhapjen e drejtësisë qëllim të të gjitha mesazheve hyjnore:

لَقَدْ أَرْسَلْنَا رُسُلَنَا بِالْبَيِّنَاتِ وَأَنزَلْنَا مَعَهُمُ الْكِتَابَ وَالْمِيزَانَ لِيَقُومَ النَّاسُ بِالْقِسْطِ

“Ne i dërguam të Dërguarit tanë me fakte të qarta dhe iu dhamë librat dhe drejtësinë që njerëzit të punojnë me drejtësi”. (Hadid: 25) Drejtësi mbi të cilën u ngritën edhe qiejt dhe toka, prandaj padrejtësia është kundër të gjitha mesazheve hyjnore.

I dërguari ynë, Muhamedi (a.s) në një hadith kudsij thotë:

عن أبي ذر الغفاري رضي الله عنه عن النبي – صلى الله عليه وسلم – فيما يرويه عن ربه عز وجل أنه قال : ( يا عبادي إني حرمت الظلم على نفسي وجعلته بينكم محرما فلا تظالموا

“O robërit e mi! Unë jam kam ndalur padrejtësinë Vetës dhe e kam bërë atë të ndaluar edhe për ju, prandaj mos i bëni padrejtësi njëri-tjetrit”. (Muslim)

Duke lexuar Kur’anin kuptojmë se padrejtësia është burimi i të gjitha të këqijave, për këtë Allahu i Lartësuar nuk i do zullumqarët dhe nuk e udhëzon popullin zullumqarë. Zullumqarët janë  banorë të zjarrit “pastaj ne i shpëtojmë të devotshmit”, prej zjarrit “dhe i lëmë zullumqarët të qëndrojnë ulur në të”. (Merjem: 72) “Këto janë shtëpitë e tyre të rrënuara për shkak të zullumit që kanë bërë” (Neml: 52), “Këto fshatra Ne i shkatërruam në kohën kur ata bënë zullum…”, (Kehf: 59) “Kështu është dënimi i Zotit tënd kur i dënon fshatrat që janë zullumqarë. Dënimi i Tij është i dhimbshëm e i rëndë”, (Hud: 102)“Duke u shkatërruar edhe njeriu i fundit prej atyre që bënin zullum. Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve”. (En’amë: 45)

Ka me dhjetëra ajete në Kur’an, të cilat e ndalojnë myslimanin që të bëjë padrejtësi, ose t’i ndihmojë zullumqarit për të bërë padrejtësi:

وَلَا تَرْكَنُوا إِلَى الَّذِينَ ظَلَمُوا فَتَمَسَّكُمُ النَّارُ وَمَا لَكُم مِّن دُونِ اللَّـهِ مِنْ أَوْلِيَاءَ ثُمَّ لَا تُنصَرُونَ ﴿١١٣﴾

“Mos anoni nga ata, të cilët bëjnë zullum, sepse pastaj do t’ju kapë zjarri, duke ditur se ju nuk keni ndihmës tjetër, përveç Allahut dhe pastaj nuk do të ndihmoheni”, (Hud: 113) madje edhe të anojë me zemër, ose të heshtë ndaj padrejtësisë nuk lejohet në asnjë mënyrë, sepse kjo gjë çon në shkatërrimin e vendit dhe të njerëzve.

Të nderuar vëllezër dhe motra besimtarë, ejani së bashku dhe të shikojmë dallimin mes drejtësisë dhe padrejtësisë, mes atyre udhëheqësve myslimanë, të cilët në punët e tyre frymëzoheshin nga fjala e Allahut (xh.sh) dhe e të Dërguarit të Tij (a.s) dhe disa udhëheqës të sotëm, të cilët shtypin dhe torturojnë popullin e tyre vetëm për të ndenjur në pushtet.

Po fillojmë me Ebu Bekrin (r.a), njeriu më i afërt dhe më i dashur i Pejgamberit (a.s), i cili sapo e mori detyrën e udhëheqësit të myslimanëve tha me gojë dhe i bindur në atë që fliste, kështu:

أما بعد أيها الناس فإني قد وليت عليكم ولست بخيركم، فإن أحسنت فأعينوني، وإن أسأت فقوموني، الصدق أمانة، والكذب خيانة،أطيعوني ما أطعت الله ورسوله، فإذا عصيت الله ورسوله فلا طاعة لي عليكم”.

“O ju njerëz, unë u emërova kalif, por nuk jam më i miri ndër ju. Në qoftë se veproj mirë më ndihmoni, ndërsa në qoftë se veproj keq më drejtoni. Sinqeriteti është amanet, ndërsa gënjeshtra është tradhti. Binduni mua për aq kohë sa unë i bindem Allahut dhe të Dërguarit të Tij, por në qoftë se nuk i bindem Allahut dhe të Dërguarit të Tij, atëherë nuk e keni detyrë të më bindeni.”

Ndërsa zhvillimet e kohëve të fundit, ose siç quhet ndryshe “Pranvera arabe” po nxjerr hapurazi se udhëheqësit e sotëm, jo vetëm që nuk i thonë fjalë të tilla si të Ebu Bekrit, por ata po japin prova se pranojnë të djegin e të shkatërrojnë vendin dhe të derdhin gjakun lumë duke vrarë e masakruar me qindra e mijëra, vetëm e vetëm për të ndenjur në pushtet. Edhe pse populli ngrihet duke protestuar kundër tyre, ata përsëri vazhdojnë me gënjeshtra e mashtrime duke thënë: Populli na donë neve, por këta që dalin në protesta janë tradhtare dhe njerëz të shitur!

Umer ibnul Hatabi (r.a), për të cilin Pejgamberi (a.s) ka thënë: “E vërteta është me Umerin, kudo që të ndodhet ai”, ai e kishte shumë frikë padrejtësinë ndaj njerëzve, madje edhe për kafshët mendonte se do të jepte llogari përpara Zotit të tij, duke thënë: “Sikur një bagëti të rrëzohet në Irak, kam frikë se Allahu do të më pyes: O Umer, përse nuk ia ke rregulluar rrugën asaj?”

Ndërsa udhëheqësit e sotëm, edhe kur e gjithë bota po i dënon vrasjet e tyre të qindra njerëzve, ndër ta edhe fëmijë, ata përsëri vazhdojnë me propagandat e tyre mashtruese: Ne po luftojmë për të mbrojtur vendin!

Umer ibnul Hatabi, udhëheqësi, në dorën e të cilit erdhi pasuria e botës, përpara se të vdiste i thotë birit të tij, Abdullah ibn Umerit: O biri im, shiko dhe në qoftë se ke mundësi paguaje borxhin e babait tënd! Pra, vdiq me borxhe. Ndërsa sot, dëgjojmë shifra marramendëse, të cilat udhëheqësit e vendeve myslimane ia kanë grabitur popujve të tyre, 50, 70, 100 miliardë e Allahu e di se sa kanë grabitur dhe vjedhur.

Umer ibn Abdulaziz, kalifi i pestë i drejtë i myslimanëve, kur dikush i tha: Sikur t’i japësh familjes tënde ashtu siç u jep administratës tënde? Ai ua ktheu: As ua ndaloi të drejtën që u takon, por as edhe nuk ua jap të drejtën e dikujt tjetër.

Ndërsa sot, gjithë familja dhe rrethi i udhëheqësit përfitojnë dhe grumbullojnë me miliona e miliona para në kurriz të njerëzve të varfër.

Allahu është i drejtë dhe Ai nuk harron, por i jep afat njerëzve dhe kur t’i kapin dënimi i Tij, atëherë nuk mund të shpëtojnë kurrë prej tij. Pejgamberi (a.s) na e ka treguar këtë gjë duke thënë:

وعن أبي موسى الأشعري رضي الله عنه قال: قال رسول الله صلى الله عليه وسلم: «إن الله ليملي للظالم، حتى إذا أخذه لم يفلته، ثم قرأ: {وكذلك أخذ ربك إذا أخذ القرى وهي ظالمة إن أخذه أليم شديد} » (رواه البخاري ومسلم).

“Me të vërtetë Allahu i jep afat zullumqarit dhe kur ta dënojnë atë kurrë nuk mund të shpëtojë, pastaj Pejgamberi (a.s) lexoi: “Kështu është dënimi i Zotit tënd kur i dënon fshatrat që janë zullumqarë. Dënimi i Tij është i dhimbshëm e i rëndë”, (Hud: 102)

Vëllezër dhe motra besimtarë, padrejtësia është tre llojesh:

1-      Padrejtësia ndaj Krijuesit, Allahut (xh.sh), e cila është edhe padrejtësia më e madhe. Allahu (xh.sh) na tregon në Kur’an për këtë lloj padrejtësie duke thënë: “Me të vërtetë shirku është padrejtësi e madhe” dhe “Mallkimi i Allahut qoftë ndaj zullumqarëve”.

تِلْكَ حُدُودُ اللّهِ فَلاَ تَعْتَدُوهَا وَمَن يَتَعَدَّ حُدُودَ اللّهِ فَأُوْلَئِكَ هُمُ الظَّالِمُونَ)

“Këto janë kufijtë e Allahu dhe mos i shkelni ato. Kush i shkel kufijtë e Allahut, ata janë me të vërtetë zullumqarët.” (Bekare: 229)

 

2-      Padrejtësia ndaj njerëzve:

وَجَزَاء سَيِّئَةٍ سَيِّئَةٌ مِّثْلُهَا فَمَنْ عَفَا وَأَصْلَحَ فَأَجْرُهُ عَلَى اللَّهِ إِنَّهُ لَا يُحِبُّ الظَّالِمِينَ} (سورة الشورى:40) ، وبقوله: {إِنَّمَا السَّبِيلُ عَلَى الَّذِينَ يَظْلِمُونَ النَّاسَ وَيَبْغُونَ فِي الْأَرْضِ بِغَيْرِ الْحَقِّ أُوْلَئِكَ لَهُم عَذَابٌ أَلِيمٌ}

“Shpërblimi i të keqes është një e keqe sikur ajo, ndërsa kush falë dhe ndreqet, atëherë shpërblimi i tij është tek Allahu. Me të vërtetë Ai nuk i do zullumqarët.” (Shura: 40) dhe“Ndëshkimin dhe dënimin e meritojnë ata, të cilët i bëjnë zullum njerëzve dhe bëjnë pa të drejtë shkatërrime në tokë. Ata do të kenë dënim të madh e të ashpër.” (Shura: 42)

3-      Padrejtësia ndaj vetes: “Dhe prej tyre ka që janë zullumqarë të vetvetes.” (Fatir: 32), ndërsa Musai (a.s) i drejtohet Allahut (xh.sh) duke i thënë: “O Zoti im, me të vërtetë i kam bërë zullum vetes.” (Kasas: 16) dhe në fakt të gjitha këto tre lloj padrejtësish janë padrejtësi ndaj vetvetes, sepse njeriu kur bën zullum, ai në fakt i bën zullum vetëm vetes së tij dhe askujt tjetër.

Nuk ka dyshim që njeriu në Islam ka të drejtë të kërkojë hakun dhe të drejtën e tij, sepse Allahu (xh.sh) ia ka dhënë këtë të drejtë duke thënë:

وَمَن قُتِلَ مَظْلُومًا فَقَدْ جَعَلْنَا لِوَلِيِّهِ سُلْطَانًا فَلَا يُسْرِف فِّي الْقَتْلِ ۖ إِنَّهُ كَانَ مَنصُورًا ﴿٣٣﴾

“E, kush vritet pa të drejtë, trashëgimtarit të tij i kemi dhënë pushtet (të drejtë të marrë hakun), por edhe ai të mos e teprojë në vrasje. Me të vërtetë ai është i ndihmuar.” (Isra: 33)

Ky është ligji i Allahut dhe çdo mysliman, i cili i beson Atij duhet patjetër ta zbatojë. Por, dita ditës po shohim se shoqëritë myslimane janë infektuar nga udhëheqësit tiranë të tyre dhe ato po kalojnë nga një zullum i një personi në zullum të shumë personave, pra zullumin e kthejnë me zullum dhe kjo pa dyshim është e ndaluar dhe njëkohësisht e dënuar në Islam.

Kur njerëzit kërkojnë të fitojnë të drejtat e tyre me zullum, atëherë ata nuk do të kenë ndihmën dhe mbështetjen e Zotit, prandaj edhe shikojmë që zullumi dhe padrejtësia, veçanërisht në vendet islame zgjat me muaj e me vite. Nuk është prej urtësisë së Allahu që të zhduk një zullumqarë dhe të sjellë një ushtri me zullumqarë të tjerë. Padrejtësia nuk e ndihmon popullin, i cili ka qenë me vite i shtypur, sepse edhe ata kërkojnë të bëjnë zullum si udhëheqësit e tyre.

Ne e dimë që Pejgamberi (a.s) ka thënë: “Lufta më e mirë është fjala e drejtë përpara një udhëheqësi zullumqarë”, por Pejgamberi (a.s) nuk ka thënë që digjni, plaçkitni, thyeni, vidhni, shkatërroni dhe zhdukni çdo gjë që gjeni në vend me pretekst të rrëzimit nga pushteti të udhëheqësve zullumqarë. Në Islam është e ndalur rreptësisht masakrimi i njerëzve dhe i kufomave dhe nuk i takon një myslimani të mburret me diçka, që është në kundërshtim me ligjin e Zotit. I lutem Allahut Fuqiplotë që t’i ndihmojë njerëzit e shtypur dhe t’i drejtojë ata rrugës së drejtë, larg zullumit dhe padrejtësisë.

Vëllezër dhe motra besimtarë, kjo temë është shumë e rëndësishme dhe themelore për çdo mysliman, por koha nuk na mjafton të zgjatemi më tepër dhe në mbyllje po sjell ajetin kuranor, ku Allahu (xh.sh) thotë: “Allahu urdhëron drejtësi dhe mirësi, ndihmë dhe respekt ndaj të afërmve dhe ndalon amoralitetin, neverinë dhe gjithçka  që është krim dhe urrejtje. Ai ju këshillon në mënyrë që të merrni mësim.” (Nahl: 90)

Allahu na ruajt nga padrejtësia dhe zullumi dhe na udhëzoftë në drejtësi dhe bamirësi. Amin

 

Be the first to comment

Leave a Reply