Vazhdo me frymën e Ramazanit

Nga: Imam Lavdrim Hamja – Kenosha, 2 shtator 2011

Falënderimi i Plotë i qoftë Allahut, Mëshiruesit, Bamirësit të përgjithshëm, i Cili na e bëri nesib agjërimin e muajit të Ramazanit. O Zot të lutemi Ty, të na e kesh pranuar agjërimin tonë dhe na jep fuqi të ecim në rrugën e Ramazanit. Paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të Dërguarin e Tij, Muhammedi (a.s), i cili ka thënë: “Kush e ka agjëruar Ramazanin me besim dhe bindje, atij i falen të gjitha gjynahet e kaluara”. Paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi familjen e Pejgamberit (a.s), mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ecin në rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Së pari: Le të pyesë çdo njëri nga ne veten e tij se, a ka “agjëruar” gjatë muajit të Ramazanit, apo vetëm nga ndenjur pa ngrënë dhe pa pirë? Ndryshimi mes “agjërimit” dhe ndenjës pa ngrënë dhe pa pirë është se kur kemi agjëruar do të thotë se ne kemi ndryshuar, pra kemi përmirësuar sjelljet dhe moralin tonë, ndërsa kemi ndenjur pa ngrënë dhe pa pirë do të thotë, në qoftë se te ne nuk ka ndryshuar asgjë në sjelljet dhe moralin tonë, si kemi qenë përpara Ramazanit ashtu jemi edhe pas Ramazanit. Për këta të fundit Zoti bëftë rahmet për mbi të gjithë ata, sepse Pejgamberi (a.s) ka thënë:

“من لم يدع قول الزور والعمل به، فليس لله حاجةٌ في أن يَدَعَ طعامه وشرابه”. رواه البخاري

Kush nuk lë fjalët dhe veprat e këqija, Allahu nuk ka nevojë për atë njeri që të lërë ushqimin dhe pijen e tij.” (Buhariu)

Së dyti: Çdo gjë ka gjurmët dhe shenjat e veta, për këtë dijetarët kanë thënë se shenja e pranimit të punëve të mira është vazhdimësia dhe pasimi i tyre me vepra të tjera të mira. Këtë gjë e vërteton edhe fjala e Allahut (xh.sh), “O ju që keni besuar, agjërimi iu është bërë detyrë për ju, siç ka qenë detyrë edhe për njerëzit përpara jush, në mënyrë që të bëheni të devotshëm.” (Bekare: 183), pra qëllimi i agjërimit ka qenë për të na bërë të devotshëm.

Duke parë sjelljen e myslimanëve menjëherë pas përfundimit të teravisë së fundit dhe veçanërisht me përfundimin e muajit të Ramazanit, të cilët braktisin me të shpejtë xhamiat dhe i boshatisin ato, lind pyetja: A është kjo devotshmëria e kërkuar prej Krijuesit tonë që të arrihet me agjërimin e Ramazanit? Për çfarë arsye e kemi agjëruar këtë muaj të shenjtë? Përse një muaj me rrallë vinim në xhami çdo natë 1-2 orë për të falur namaz dhe për të lexuar Kur’an? Përse gjatë Ramazanit shtronim iftare dhe jepnin sadaka? A mundet njeriu i mençur të thotë që me përfundimin e Ramazanit duhet t’i mbyllim të gjitha dyert e mirësive, të cilët i hapëm për një muaj?

Allahu i Madhëruar thotë në Kur’anin famëlartë:

وَلَا تَكُونُوا كَالَّتِي نَقَضَتْ غَزْلَهَا مِن بَعْدِ قُوَّةٍ أَنكَاثًا

Mos u bëni si ajo që e prish tjerrin e saj pasi ta ketë dredhur fort,…” (Nahl: 92)

Vëllezër dhe motra besimtarë, keni parë ndonjë njeri në këtë botë, i cili vendos të arrijë diçka të mirë dhe pasi ta ketë arritur, atë e shkatërron dhe e braktis? Keni parë ndonjë njeri, i cili e ndërton një shtëpi të bukur dhe pasi ka mbaruar çdo gjë, e braktis, apo e shemb atë? Keni parë ndonjë biznesmen, i cili ka arritur të ngrejë një kompani fitimprurëse dhe sapo fillon të marrë përfitime prej saj e lëshon dhe e mbyll atë? Keni parë ndonjë student të mirë, ndonjë profesor, doktor, inxhinier, apo diçka tjetër, i cili ka arritur të diplomohet, mendoni se qëllimi i tyre ka qenë vetëm përfundimi i studimeve dhe i diplomimeve, apo qëllimi i tyre ka qenë, gjetja e një vendi pune të mirë, t’i praktikojë në jetë njohuritë e tij për të fituar shumë para? Prandaj Zoti (xh.sh) thotë: Mos u bëni si ajo që e prish tjerrin e saj pasi ta ketë dredhur fort,…” (Nahl: 92)

روى البخاري (43) ومسلم : قَالَ رَسُولُ اللَّهِ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ. قَالَ :(… فَوَاللَّهِ لَا يَمَلُّ اللَّهُ حَتَّى تَمَلُّوا) وَكَانَ أَحَبَّ الدِّينِ إِلَيْهِ مَا دَاوَمَ عَلَيْهِ صَاحِبُهُ

Pejgamberi (a.s) ka thënë: “Pasha Allahun, me të vërtetë Allahu nuk mërzitet prej jush, derisa ju të mërziteni prej Tij”, puna më e dashur për Pejgamberin (a.s) ka qenë, ajo të cilën njeriu e vepronte përgjithmonë.” (Buhariu dhe Muslimi)

Ky është shembulli i atyre myslimanëve, të cilët i përkushtohet Zotit për një muaj, arrijnë të fitojnë prej mirësive dhe begative të Ramazanit dhe pastaj i braktisin ato të mira duke djegur, duke i shkatërruar dhe duke i humbur ato. Për këtë gjë jemi dëshmitarë vetë ne, sepse deri në natë e fundit të teravisë xhamia ishte e mbushur me besimtarë, ndërsa natën e fundit që nuk kishte teravi xhamia u boshatis dhe u bë sikur të ishte shtëpi e braktisur dhe e shkretë, pastaj vazhdon të braktiset e të boshatiset natë për natë.

Ta dini mirë, se ky lloj adhurimi nuk është forma e duhur, të cilën Zoti e kërkon prej nesh. Ne e agjëruam Ramazanin në mënyrë që të bëhemi të devotshëm dhe të na shpërbejë si ushqim për muajt e tjerë të vitit. E agjëruam Ramazanin që drita e ibadetit gjatë këtij muajit të na e ndriçojë rrugën e jetës në 11 muajt e tjerë. E agjëruam Ramazanin që të na japë fuqi dhe energji për të përballuar me sukses sfidat dhe pengesat e jetës së përditshme. E agjëruam Ramazanin që të na afrojë më afër Zotit tonë dhe Ai (xh.sh) të na ndihmojë dhe të na udhëzojë në jetën e kësaj botë. Gjatë këtij muaji ne dëshmuan se mund t’ia dalim, se kemi mundësi të vijmë çdo natë në xhami për t’iu përgjigjur thirrjes së Zotit tonë, por nuk e mbajtëm premtimin më shumë se një muaj!

((وَأَوْفُواْ بِعَهْدِ اللّهِ إِذَا عَاهَدتُّمْ وَلاَ تَنقُضُواْ الأَيْمَانَ بَعْدَ تَوْكِيدِهَا وَقَدْ جَعَلْتُمُ اللّهَ عَلَيْكُمْ كَفِيلاً إِنَّ اللّهَ يَعْلَمُ مَا تَفْعَلُونَ وَلاَ تَكُونُواْ كَالَّتِي نَقَضَتْ غَزْلَهَا))

“…Pra zbatojeni premtimin e dhënë ndaj Allahut, e mos i prishni betimet pasi i keni vërtetuar ato, duke qenë se Allahun e bëtë garant tuajin. Vërtet, All-llahu e di se çka punoni. Mos u bëni si ajo që e prish tjerrin e saj pasi ta ketë dredhur fort,…” (Nahl: 91-92).

Ku është xhemati nëpër xhamia dhe përse e kanë lënë namazin disa njerëz. Disa myslimanë namazin e teravisë, i cili është synet e kanë bërë farz, ndërsa namazet e tjera, të cilat janë farz i kanë bërë synet ! Pse vetëm në Ramazan duhet të falen namazi dhe të lexohet Kur’ani, ndërsa pas Ramazanit t’i harrojmë ato? Allahu na ruajt prej njerëzve, të cilët ia kthejnë shpinën namazit dhe leximit të Kur’anit, për të cilët Allahu (xh.sh) thotë në suren Furkan:

((وَقَالَ الرَّسُولُ يَا رَبِّ إِنَّ قَوْمِي اتَّخَذُوا هَذَا الْقُرْآنَ مَهْجُورًا))

“E i dërguari tha: “O Zot im, vërtet populli im e kanë lënë Kur’anin pas shpine!”(Furkan: 30)

Vëllezër dhe motra besimtarë, sa herë që myslimanët do të vazhdojnë të mendojnë, të besojnë dhe të veprojnë në këtë mënyrë, duke adhuruar Zotit në ditë dhe në net të veçantë, ata do të jeni në vuajtje dhe në përulje, të vegjël dhe të nëpërkëmbur, pa vlerë dhe të tretur.

وَمَن يَنقَلِبْ عَلَىٰ عَقِبَيْهِ فَلَن يَضُرَّ اللَّهَ شَيْئًا ۗ وَسَيَجْزِي اللَّهُ الشَّاكِرِينَ

“E kushdo që kthehet prapa, ai nuk i bën aspak dëm Allahut, e Allahu do t’i shpërblejë falënderuesit.” (Ali Imran: 144)

وصية رسول الله(صلى الله عليه وسلم) لعبد الله بن عمرو بن العاص رضي الله عنهما قال : “يا عبد الله لا تكن مثل فلان كان يقوم الليل فترك قيام الليل “.

“O Abdullah! Mos u bë si filani, i cili falej natën, pastaj e la faljen”, kështu e porositi Pejgamberi (a.s) Abdullah ibn Amr ibn Asin.

Të nderuar vëllezër dhe motra besimtarë, dy janë gjërat kryesore, të cilat myslimani duhet t’i ketë parasysh pas Ramazanit.

E para gjë është të bëj nijet që të ecë në gjurmët e agjërimit dhe të përcjellë këtë muaj të bekuar me agjërimin e 6 ditëve prej muajit Sheval. Pejgamberi (a.) ka thënë:

جاء في حديث رسول الله –صلى الله عليه وسلم-:”من صام رمضان ثم أتبعه بست من شوال كان كصيام الدهر” رواه مسلم في كتاب الصيام بشرح النووي (8/56)، يعني: صيام سنة كاملة.

“Kush e agjëron Ramazanin, pastaj e përcjellë atë me gjashtë ditë prej Shevalit është sikur ta ketë agjëruar gjithë vitin.” (Muslimi)

Këto gjashtë ditë mund të agjërohet të ndarë, një ose dy ditë në javë, por mund të agjërohen edhe gjashtë ditë pa i nda. E rëndësishme është që besimtari t’i agjërojë këto ditë në mënyrë që të marrin shpërblimin e një viti të plotë me agjërim, sepse veprat e mira shumëfishohen 1 me 10, pra një muaj, 30 ditë herë 10 bëjnë 300 ditë dhe 6 ditë herë dhjetë bëjnë 60 ditë, duke plotësuar vitin me 360 ditë. Zoti na e bëftë të mundur dhe na e lehtësoftë për t’i agjëruar këto 6 ditë.

E dyta gjë është të rifillojmë edhe një herë nga fillimi leximin e Kur’anit, pasi e mbaruam leximin e tij në Ramazan dhe jo ta mbyllim atë duke mos e prekur dhe lexuar deri në Ramazanin tjetër.

روى الترمزي وغيره عن ابن عباس رضي الله عنهما أن رجلا سأل النبي صلى الله عليه وسلم : أي الأعمال أحب إلى الله تعالى ؟فقال : (( الحال المرتحل )) قال : وما الحال المرتحل ؟قال : (( الذي يضرب من أول القرآن ــ أي يبدأ من تلاوة أول القرآن ــ كلما حل ارتحل )) أي كلما ختم ختمة أخذ بغيرها , وهكذا مواظبا”

Transmeton Tirmidhiu prej Ibn Abasit (r.a) se një njeri e pyeti Pejgamberin (a.s): Cila është puna më e dashur tek Allahu (xh.sh)? Tha: “El-Hal el-murtehal”. Njeriu i tha: Dhe çfarë është: El-Hal el-murtehal? Pejgamberi (a.s) i tha: “Ai njeri, i cili e lexon Kur’anin prej fillimit dhe pasi e mbaron atë e rifillon përsëri, pra sa herë që e mbaron një hatme, ai e fillon një tjetër.”

Së fundi, të mos harrojmë se përfundimi i Ramazanit nuk është fundi, por fillimi i një jete të re, të rifreskuar, më energjike, më këmbëngulëse, më aktive, më e durueshme, më kërkuese dhe më kuptimplote për besimtarin e vërtetë. Le t’i tregojmë Zotit tonë, se ne e agjëruam muajin e Ramazanit me besim dhe bindje në shpërblimin e Tij. Le t’i tregojmë Zotit tonë, se ne e agjëruam muajin e Ramazanit për të na fuqizuar dhe për të na dhënë më shumë vullnet e forcë në jetën tonë dhe jo për tu ndalur me mbarimin e tij. Le t’i tregomë Zotit tonë se ne e adhurojmë dhe i bindemi Atij gjatë gjithë vitit dhe jo vetëm një muaj, sepse edhe Ai na ushqen dhe na jep të mira gjatë gjithë vitit dhe jo vetëm një muaj në vit. Gjithashtu le t’i japin për të kuptuar edhe shejtanit e ta dëshpërojmë edhe më shumë atë se ne nuk i bindemi dhe nuk e dëgjojmë atë, por i bindemi dhe e dëgjojmë vetëm Krijuesin e gjithësisë, Zotin tonë.

O Allahu, vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm te Ty ndihmë kërkojmë. Udhëzova në rrugën e drejtë, në rrugën e atyre që i begatove me të mira. Amin

Be the first to comment

Leave a Reply