Në gjurmët e Pejgamberit tonë (a.s), shembull në thirrjen islame

Nga: Imam Lavdrim Hamja – 4 shkurt 2011

 Të nderuar vëllezër dhe motra besimtarë, edhe pak ditë na ndajnë nga dita e lindjes së zotëriut të bijve të Ademit, lindjes së të dërguarit të fundit të njerëzimit, Muhammedit (a.s), mëshirës së dhuruar për mbarë njerëzimin. Prandaj është më se e domosdoshme që t’ia këshillojmë njëri-tjetrit jetën dhe rrugën e të Dërguarit tonë, Muhammedit (a.s), sepse Allahu (xh.sh) thotë në Kur’anin famëlartë:

“Në të Dërguarin e Allahut është shembulli më i mirë për ata që besojnë Allahun dhe ditën e gjykimit”.

Po e filloj këtë ligjëratë me disa thënie të thirrësit të madh islam, Muhammed Gazaliu, i cili ka thënë:

“Unë nuk kam shkruar për personalitetin e Mesazhit të madh, Muhammedit të birit të Abdullahit, paqja dhe shpëtimi i Zotit qofshin mbi të, vetëm pas leximit ose studimit të cilido njeriu të madh. Unë jam mysliman me plot vetëdije, e di përse kam besuar në Allahun, Zotin e botrave, përse i besova fjalëve të Muhammedit a.s dhe përse pasova librin, i cili iu shpall, madje përse thërras të tjerët në besimin që qenia ime është e kënaqur me të”

Myslimani, tek ndërgjegjja e të cilit nuk jeton Pejgamberi a.s, ku as zemra dhe mendja nuk e pasojnë në çdo vepër të tij, atij nuk i bën aspak dobi të lëvizë buzët ditë natë, as edhe me një mijë salavate”

Prandaj vëllezër dhe motra besimtarë, le të shohim se bashku shembullin e të Dërguarit tonë, Muhammedit (a.s) në thirrjen e njerëzimit për te Zoti (xh.sh).

Allahu (xh.sh) thotë në Kur’an: “E kush është në rrugë më të mirë se ai që thërret në rrugën e Allahut, që bën vepra të mira dhe që thotë: Unë jam prej myslimanëve?”(Fusilet: 33)

Zoti xh.sh., përmes Kur’anit famëlartë na ka dhënë shembuj të qartë rreth mënyrës dhe metodës së thirrjes duke na treguar dhe në të njëjtën kohë duke na mësuar për mënyrën e thirrjes së njerëzimit tek sheriati i Tij. Rreth 200 ajete tregojnë për thirrjen në fenë e Zotit, e secili ajet ka tematikën e vet, si “urtësia e thirrjes”, “thirrja në gjuhën e popullit”, “lehtësimi dhe jo vështirësimi”, “debati në mënyrën më të mirë”, “në fe nuk ka ekstremizëm” etj.

Por, cili është parimi bazë që Zoti xh.sh e ka mbështetur thirrjen për në fenë e Tij dhe në të njëjtën kohë na ka urdhëruar ta ndjekim:

“Ti (Muhammed) thirr për në rrugën e Zotit tënd me urtësi e këshillë të mirë dhe polemizo me ata (kundërshtarët) me atë mënyrë që është më e mira…”.(Nahl:125)

Pra një nga cilësitë kryesore të thirrësit islam është urtësia të cilën Zoti xh.sh. ia dhuron atij që dëshiron:

“Ai ia dhuron urtësinë atij që do, e kujt i është dhënë urtësia, atij pra i është dhuruar mirësi e madhe, përveç të mençurve këtë nuk e kupton kush”. (Bekare:269)

Si shoqëruese e urtësisë në thirrje është edhe butësia dhe jo ashpërsia ndaj cilido njeriu, të thjeshtë ose diktator qoftë:

“Ti ishe i butë ndaj tyre, ngase Allahu të dhuroi mëshirë, sikur të ishe i vrazhdë e zemërfortë, ata do të shkapërderdheshin prej teje, andaj ti falja atyre dhe kërko ndjesë për ta, e konsultohu me ta në të gjitha çështjet…” (Ali Imran: 159)

Ndërsa kur Zoti xh.sh. dërgoi Musain dhe Harunin a.s për tek njeriu më zullumqar i gjithë rruzullit tokësor, tek faraoni, i porosit me këto fjalë:

“Shkoni që të dy te faraoni, se ai vërtet e ka tepruar. Atij thujuani fjalë të buta, ndoshta ai mendohet a frikësohet…” (Taha: 43-44)

Dhe që thirrësi të ketë sukses duhet të jetë i qartë në atë që propagandon dhe me argumente:

“Thuaj: kjo është rruga ime, e vënë me fakte të qarta, e që unë thërras te Allahu, unë dhe ai që vjen pas meje…” (Jusuf: 108)

Këto ishin disa cilësi të Pejgamberit a.s si shembulli ynë në thirrjen islame, të cilat Zoti xh.sh i ka vendosur në librin e Tij të shenjtë.

Por çfarë na ka mësuar vetë Pejgamberi a.s për këtë detyrë kaq të rëndësishme dhe jetike për Islamin dhe myslimanët.

Na ka mësuar se nga cila pikë duhet të nisemi dhe ku duhet të mbarojmë, formën dhe mënyrën e prezantimit, pasi të gjitha kanë rëndësi të madhe:

Nga Ibn Abasi r.a transmetohet se Pejgamberi a.s kur ka dërguar Muadh ibn Xhebelin për në Jemen i ka thënë: “Ti je duke shkuar tek një popull që është pjesëtar i librit, prandaj e para gjë në të cilën do t’i thërrasësh njerëzit le të jetë adhurimi i Zotit dhe në qoftë se e njohin, atëherë lajmëroji ata se Zoti ka bërë detyrë për ta pesë namaze në 24 orë, e në qoftë se e veprojnë, atëherë lajmëroji se kanë detyrë zekatin e pasurisë që do t’u shpërndahet fukarenjve të tyre dhe në qoftë se binden atëherë merr prej tyre dhe ruaju pasurisë së shtrenjtë që kanë”

Kur Pejgamberi a.s qortonte shokët e tij në qoftë se ata zgjatnin namazin dhe çfarë rëndësie kishte namazi, u thoshte: “Me të vërtetë disa prej jush i largojnë njerëzit nga Islami”.

E sot shikon dhe dëgjon njerëz që fenë Islame e bëjnë me veprat dhe sjelljet e tyre të papëlqyera si ai njeriu që urren, përbuz, shan, fyen, dënon, masakron, vret, nuk respekton etj etj, gjëra që të bëjnë të dëshpërohesh, pasi porositë e të Dërguarit janë krejt ndryshe. Dëshira e Pejgamberit a.s ishte t’ua lehtësonte njerëzve dhe jo t’ua vështirësonte atyre. Për këtë Aisheja r.a thotë: “Gjithmonë kur Pejgamberi a.s kishte për të zgjedhur mes dy gjërave, ai merrte më të lehtën në qoftë se nuk ishte mëkat”

Dhe shikoni sa bukur na mëson Pejgamberi a.s duke na porositur:

“lehtësoni dhe mos vështirësoni, përgëzoni dhe mos largoni”

“thirrini njerëzit, përgëzoni ata dhe mos i largoni, lehtësoni dhe mos i vështirësoni”

“me të vërtetë ju jeni dërguar lehtësues dhe jo vështirësues”

Ndërsa Aliu r.a thotë: (U thoni njerëzve atë që kuptojnë (dinë), a dëshironi të përgënjeshtrohet Allahu dhe i Dërguari i Tij a.s?”)

E Ibn Mes’udi thoshte: “Kushdo që i flet njerëzve diçka që mendjet e tyre nuk arrijnë ta kuptojnë, ajo ka për të qenë sprovë për disa prej tyre.”

Si përfundim: Nuk do të jemi pasues dhe pjesëtar të umetit të Pejgamberit (a.s), vetëm në qoftë se e pasojmë atë dhe zbatojmë porositë e tij në çdo aspekt të jetës sonë. Sot filluam me shembullin e tij në thirrjen islame, ndërsa shembuj të tjerë, me ndimën e Zotit do t’i shohim në ligjëratat e ardhshme. Kështu që, për të thirrur drejt rrugës së Zotit duhet të posedohen disa cilësi të domosdoshme dhe patjetër edhe mënyra e thirrjes duhet të jetë sipas asaj që vetë i dërguari i Allahut ndoqi për 23-vjet me radhë. Dëshira për të kryer një vepër të mirë nuk mjafton në qoftë se personi i cili dëshiron të kryejë këtë vepër nuk ka mundësi ta kryejë sipas mënyrës profetike. Përkundrazi njeriu mban përgjegjësi për dëmet që sjell ajo vepër. “Pyesni njërëzit e ditur, në qoftë se nuk dini” (Enbija: 7)

Lusim Zotin e Madhëruar të na bëjë prej thirrësve të mirë të Islamit.

Be the first to comment

Leave a Reply