Gjurmët e Islamit paraotoman, Kosova kishte xhami që në vitin 1289

“Allahu ekber, Allahu ekber, …, Esh-hedu en la ilahe il-lall-lah, Esh-hedu en la ilahe il-lall-llah …”.

Kjo thirrje po përhapej në fshatin Mlikë të Gorës në Dragash ende pa zbarkuar pjesëtarët e ushtrisë osmane këtë javë. Mirëpo, historianët pohojnë se kjo thirrje është dëgjuar në të njëjtin fshat qysh nga kohët e hershme, bile edhe para ardhjes së osmanëve në Ballkan.

Në këtë zonë malore thirrja e xhematit për faljen e namazit është bërë nga xhamia që besohet të jetë ndër faltoret e para të besimit islam në Ballkan. Si e tillë në bazë të fakteve historike të gjetura deri tani supozohet se themelet e saj janë vendosur në bazë të iniciativës së familjeve të ardhura nga Halepi i Sirisë, të cilët me vete kanë bartur edhe traditën shpirtërore, duke e ngujuar atë në këto bjeshkë, me ç’rast edhe kanë influencuar banorët lokalë.

Sipas historianëve janë disa elemente që bëjnë të besohet se ky objekt i kultit ka qenë i ndërtuar para ardhjes së osmanlinjëve dhe si i tillë dëshmon se Islami në këtë zonë ka filluar të praktikohet para pushtimit nga forcat e superfuqisë së atëhershme botërore.

“Mbishkrimi i Xhamisë në fshatin Mlikë flet se në këtë trevë islamizmi ka qenë prezent që në shekullin XIII, përkatësisht para pushtimit të Prizrenit (1459) dhe të rajonit nga Osmanët”, ka konfirmuar historiani Parim Kosova, njëherësh përgjegjës i kompleksit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Në bazë të të dhënave që ai ka grumbulluar gjatë hulumtimit të Gorës dhe veshjeve të saj tradicionale gjatë shekullit XX, ai ka hasur edhe në veçantitë e kësaj xhamie, ku në bazë të shënimeve besohet se ndërtimi i saj është bërë disa shekuj më parë.

Sipas një vërtetimi të lëshuar nga Ministria e Vakufeve – Drejtoria e përgjithshme e myftinjve dhe të arsimit fetar të qarkut të Halepit të Republikës Arabe të Sirisë, datë 10 tetor 1995, pos të tjerave theksohet: “…që disa anëtarë nga familja Al Aga nga Halepi (Sirisë), kanë filluar të vendosen në këtë fshat prej vitit 1205 deri në vitin 1291, ku edhe e ndërtojnë xhaminë në fshatin Mlikë…Xhamia është pronë e këtyre familjeve të shpërngulura myslimane arabe dhe nuk është prej ndërtimeve osmane”, ka sqaruar Kosova.

Një gjë e tillë sipas këtij historiani dëshmohet edhe nga mbishkrimi i gdhendur në gurë, që ndodhet në murin e Xhamisë, i cili thotë “…është rindërtuar në vitin 1822/3 (Hixhri 1238), nga ana e Ahmet Agës dhe xhamia e parë kishte qenë e ndërtuar në vitin 1289 (Hixhri 688)…”. Sipas këtyre dy argumenteve, Parim Kosova ka shpjeguar që mendohet se ky objekt fetar, pas xhamive të Kërmahallës në Gumulxhine në Bullgari dhe të qytetit Madan (të ndërtuar më 1233) të Bullgarisë Jugore dhe Xhamisë së vjetër në qytetin e Beratit, është prej faltoreve të para Islame në Ballkan.

Të gjitha këto të dhëna shtojnë besimin se Xhamia në Mlikë është ndërtuar 100 vjet para Betejës së Kosovës, përkatësisht 170 vjet para rënies së Prizrenit nën pushtimin osman. Ndërkohë që edhe sot lagjja ku ndodhet xhamia quhet Helepovci, derisa qyteti i Halepit në atë kohë ishte në kuadër të Bejlikut të familjes aristokrate Dylkadërogullari.

Megjithatë, kjo pasuri e rrallë e trashëgimisë kulturore e historike, që dëshmon për ecejaket shpirtërore të kësaj treve nuk është arritur të ruhet në formën e saj origjinale. Në shekullin XIX objekti fetar është kapluar rastësisht nga flakët, në të cilën mënyrë janë shkatërruar gjëra të shumta të vlefshme që ishin bartur brez pas brezi. Sipas Hoxhes së tanishëm të xhamisë “xhamia ishte djegur rastësisht në vitin 1822/3, e atëherë ishin djegur eshe shumë dokumente e libra, si dhe vetë tapia e xhamisë…”, ka spikatur Kosova.

Ndonëse kjo fatkeqësi ka lënë pasoja negative në ruajtjen e objektit që dëshmon për kultivimin e traditës, kulturës e jetës shoqërore të banorëve të kësaj ane, ajo nuk ka mundur t’i shlyej gjurmët e zhvillimeve shpirtërore dhe thellimit të besimit. Ndikimi që kjo xhami ka lënë në praktikimin e fesë islame ka qenë i konsiderueshë m, duke mos harruar në këtë drejtim edhe Kukli Begun e Opojës dhe familjen persiane të Hysen Agë Shtekut të vendosur ne Kolesjan të Lumës, të cilët gjatë shekullit XVI patën ndikim të madh në procesin e islamizimit në popullsinë e këtij visi. Ndërkohë xhamitë e tjera që vlenë të përmendën janë ajo e fshatit Kukalan të ndërtuar në vitin 1515, ajo e krahkoshtës në vitin 1528, e Brodit, Leshtanit, etj. Për më shumë, të gjitha fshatrat e Gorës në pjesën e Kosovës sot kanëxhamitë e tyre, të cilat janë aktive dhe mirëmbahen nga ana e besimtarëve.

(kohaislame.com)