Martesa, rëndësia dhe mirësia e saj

Nga: Imam Lavdrim Hamja – Kenosha, 24 qershor 2011

Falënderimi i plotë i qoftë Allahut, Zotit të botëve, i Cili thotë në Kur’an “Lavdi i qoftë Atij, i Cili krijoi të gjitha çiftet. Selamet dhe Salavatet qofshin për mbi të dashurin tonë, Muhammedin (a.s) i cili ka thënë: “Ky është syneti im, kush largohet prej tij, ai nuk është më prej meje”. Paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë për mbi familjen e tij, shokët dhe të gjithë ata që ecin me devotshmëri në rrugën e tij deri në ditën e gjykimit.

Allahu (xh.sh) me urtësinë dhe diturinë e Tij vendosi që vazhdimësia e jetës së dynjasë të realizohet nga martesa e një mashkulli dhe një femre. Madje, në Kur’anin famëlartë Ai e quan martesën mrekulli dhe argument prej argumenteve të madhërisë së Tij, duke thënë:

ومن آياته أن خلق لكم من أنفسكم أزواجا لتسكنوا إليها وجعل بينكم مودة ورحمة إن في ذلك لآيات لقوم يتفكرون

“Dhe prej argumenteve të Tij, Ai krijoi për ju nga vetë lloji juaj bashkëshorte, që të gjeni prehje tek ajo dhe mes jush krijoi dashuri dhe mëshirë. Në këtë ka argumente për njerëzit që mendojnë.” (Rum: 21)

Gjithashtu Pejgamberi (a.s) na ka treguar se martesa është prej synetit të tij dhe se ata njerëz, të cilët nuk ndjekin synetin e ti, pra nuk pranojnë të martohen, ata dalin prej rrugës së tij. Dëgjoni me vëmendje se si Pejgamberi (a.s) i qortoi disa shokë të tij, të cilët menduan se ishin duke bërë mirë, por gabuan, sepse vendosën të largohen nga natyra njerëzore që Zoti (xh.sh) i ka krijuar. Ai iu tha:

)أنتم الذين قلتم كذا وكذا أما والله إني لأخشاكم لله وأتقاكم له لكني أصوم وأفطر وأصلي وأرقد وأتزوج النساء فمن رغب عن سنتي فليس مني(

“Ju jeni ata që keni thënë kështu e ashtu? Pasha Allahun, unë jam më i devotshmi ndër ju tek Allahu dhe e kam më tepër frikë Atë se sa ju. Unë agjëroj, por edhe ha. Falen natën, por edhe fle dhe gjithashtu martohem. Kush largohet nga syneti im, ai nuk është prej meje.” (Buhariu dhe Muslim)

Të nderuar vëllezër dhe motra besimtarë, Allahu (xh.sh) krijoi çdo gjë dhe e përsosi atë. Ai ka vendosur se si duhet të jetojnë njerëzit në tokë dhe çdo devijim nga ligjet e Tij do të shkaktojë probleme dhe çrregullime në tokë dhe në banorët e saj.

Në kohët moderne po përhapen gjithnjë e më tepër devijime dhe çrregullime aq të ulëta në jetën e njerëzve, të cilat nuk i gjejmë as edhe te krijesat e tjera. Prandaj, martesa në Islam nuk është vetëm kurorëzim mes dy të rinjve, por është bindje dhe zbatim i urdhrit të Zotit (xh.sh) dhe pasim i synetit të të Dërguarit të Tij (a.s).

وَلَقَدْ أَرْسَلْنَا رُسُلاً مِنْ قَبْلِكَ وَجَعَلْنَا لَهُمْ أَزْوَاجاً وَذُرِّيَّةً)(الرعد: من الآية38)

“Ne dërguam përpara teje profetë dhe atyre i bëmë bashkëshorte dhe pasardhës.” (Rad: 38)

Duke u martuar njeriu përfiton begati në këtë botë dhe mëshirë e falje në botën tjetër. Prandaj, duhet që të rinjtë të nxiten drejt këtij urdhri të Zotit dhe të mos kenë frikë varfërinë për shkak të martesës. Allahu (xh.sh) u ka premtuar pasuri dhe begati atyre që martohen duke thënë:

)وَأَنْكِحُوا الْأَيَامَى مِنْكُمْ وَالصَّالِحِينَ مِنْ عِبَادِكُمْ وَإِمَائِكُمْ إِنْ يَكُونُوا فُقَرَاءَ يُغْنِهِمُ اللَّهُ مِنْ فَضْلِهِ وَاللَّهُ وَاسِعٌ عَلِيمٌ) (النور:32)

“Dhe martoni të pamartuarit edhe robërit e robëreshat tuaja që janë të ndershëm e të ndershme. Nëse janë të varfër, Allahu i begaton nga mirësitë e Tij, Allahu është Bujar i madh, i Gjithëdijshëm.” (Nur: 32)

Nganjëherë jo vetëm të rinjtë, por edhe prindërit e tyre frikësohen se nuk kanë mundësi t’i plotësojnë kushtet materiale për martesë. Ata që mendojnë në këtë mënyrë harrojnë premtimin e Zotit Bujar, i Cili u ka premtuar begati dhe mirësi të pafundme të sapomartuarve: “Nëse janë të varfër, Allahu i pasuron nga mirësitë e Tij”.

Ndërsa Pejgamberi (a.s) ka thënë:

قال النبي صلى الله عليه وسلم : (ثلاثةٌ حقٌ على الله عونهم وذكر منهم الناكح يريد العفاف)

“Tre lloj njerëzve Allahu ua ka garantuar ndihmën e Tij, prej tyre është ai që martohet për të mbrojtur nderin e tij.”

Ebu Bekri (r.a) ka thënë:

وقال أبو بكرٍ الصديق رضي الله عنه أطيعوا الله فيما أمركم به من النكاح ينجز لكم ما وعدكم من الغنى :إِنْ يَكُونُوا فُقَرَاءَ يُغْنِهِمُ اللَّهُ مِنْ فَضْلِه)

“Bindjuni Allahut në atë që ju ka urdhëruar, duke u martuar dhe Ai do t’ju plotësojë premtimin e Tij duke ju pasuruar: “Nëse janë të varfër, Allahu i pasuron nga mirësitë e Tij”.

Ndërsa Umeri (r.a) ka thënë:

قال عمر رضي الله عنه: (عجبت لمن لا يطلب الغنى في النكاح، والله تعالى يقول إن يكونوا فقراء يغنهم الله من فضله)

“Habitem me atë njeri, i cili nuk e kërkon pasurinë në martesë. A nuk thotë Allahu (xh.sh): “Nëse janë të varfër, Allahu i pasuron nga mirësitë e Tij?”

Dëgjoni me vëmendje se çfarë vendi të lartë zë martesa në Islam. Pejgamberi (a.s) e ka konsideruar martesën si plotësim të gjysmës së fesë, pra vetëm me anë të martesës myslimani konsiderohet se ka plotësuar gjysmën e fesë së tij.

قال رسول الله صلى الله عليه وسلم :إذا تزوج العبد فقد استكمل نصف الدين فليتق الله في النصف الباقي . ) حديث حسن (

“Kur robi martohet, ai ka plotësuar gjysmën e fesë dhe le të ketë frikë Allahun në gjysmën tjetër të saj.” (Hasen)

Martesa është shkak për të mbajtur të dëlirë dhe të pastër shoqërinë njerëzore. Ajo shërben në parandalimin e shumë krimeve, veçanërisht ndaj femrave, ku për çdo ditë dëgjojmë lajme të hidhura në përdhunimin dhe tregtinë e femrave. Prandaj Pejgamberi (a.s) u bën thirrje të rinjve që të drejtohen drejt martesës. Ai thotë:

وقال النبي صلى الله عليه وسلم (يا معشر الشباب من استطاع منكم الباءة فليتزوج فإنه أغض للبصر وأحصن للفرج، ومن لم يستطع فعليه بالصوم فإنه له وجاء)

“O ju të rinj! Në qoftë se keni mundësi të martoheni, martohuni, sepse kjo gjë shërben për të mbrojtur syrin dhe për të ruajtur nderin. Kush nuk ka mundësi, le të agjërojë, sepse ai shërben për t’u mbrojtur.” (Buhariu dhe Muslimi nga Ibn Mes’udi)

Pasi folëm për mirësitë e martesë, tani le të flasim se çfarë duhet të kenë parasysh të rinjtë, të cilët duan të martohen. Sepse martesa është një vendim shumë i rëndësishëm për jetën e njeriut, sepse ai është duke vendosur të gjej shokun, ose shoqen e udhëtimit në jetën e kësaj bote.

I dashuri ynë, Pejgamberi (a.s) thotë:

ففي الحديث ( تنكح المراة على احدى خصال لجمالها ومالها وخلقها ودينها فعليك بذات الدين والخلق تربت يمينك ) رواه احمد باسناد صحيح وابن حبان تنكح المرأة لأربع لمالها ولجمالها ولحسبها ولدينها فاظفر بذات الدين تربت يداك ) متفق عليه

“Për martesën e femrës shikohet: Bukuria, pasuria dhe morali e feja e saj. Zgjedh atë që është me moral dhe fetare që të shpëtosh.” (Ahmedi, me zinxhir të saktë dhe Ibn Hibani) Ndërsa në një transmetim tjetër: “Për martesën e femrës shikohen katër gjëra: Pasuria, bukuria, prejardhja dhe feja e saj. Zgjedh atë që është fetare që të shpëtosh.” (Buhariu dhe Muslimi)

Gjithashtu Pejgamberi (a.s) thotë për djalin, se çfarë e marton atë.

وقد قال صلى الله عليه وسلم: ” إذا جاءكم من ترضون دينه وخلقه فزوجوه إلا تفعلوه تكن فتنة في الأرض وفساد كبير ” رواه الترمذي وغيره.

“Në qoftë se ju vjen ndonjë njeri, të cilit i pëlqeni fenë dhe moralin e tij martojeni. Në qoftë se nuk veproni kështu, atëherë në tokë do të ketë trazira dhe fesat (ç’thurje).” (Buhariu dhe të tjerë)

Disa të rinj, por shumë prej prindërve mundohen që për martesën të shikojnë pasurinë, bukurinë dhe prejardhjen e djalit, apo të vajzës, ndërsa fenë dhe moralin i harrojnë të fundit. Si rezultat i kësaj shohim sot se si është katandisur njerëzimi. Nuk kalojnë disa muaj dhe fillojnë problemet dhe ngatërresat, të cilat pastaj e çojnë çiftin e ri drejt divorcit. Prandaj, shkaku kryesor i ndarjes është lidhja e dobët fetare, kështu që hapini sytë dhe bëni kujdes në zgjedhjen e nuses dhe të dhëndrit, duke mos lakmuar në anën materiale, por shikoni se sa besimtar dhe besimtare është djali dhe vajza, sepse ai njeri, i cili ka frikë Zotin nuk do t’i bëjë padrejtësi bashkëshortes së tij.

Të nderuar vëllezër dhe motra besimtarë, nuk ka dyshim se kjo temë është shumë e rëndësishme dhe nuk mjafton një bisedë për të treguar rëndësinë dhe mirësinë e saj. Sidoqoftë le të përmendim edhe disa porosi të tjera të Pejgamberit (a.s):

خيركم خيركم لأهله

“Më i miri prej jush është ai që është më i mirë për gruan e tij.” (Tirmidhiu)

( أن اعظم النكاح بركة ايسره مؤنة ) ورواه احمد

“Martesa me begati më të madhe është ajo që ka shpenzime më pak.” (Ahmedi)

( ابغض الحلال لى الله الطلاق ) رواه ابو داود وابن ماجة

“Hallalli më i urryer tek Allahu është divorci.” (Ebu Davudi dhe Ibn Maxhe).

Ndërsa Allahu (xh.sh) thotë:

( وعاشروهن بالمعروف فان كرهتموهن فعسى ان تكرهوا شيئا ويجعل الله فيه خيرا كثيرا)

“Çoni jetë të mirë me to. Nëse i urreni ato, bëni durim, sepse ndodh që Allahu të japë shumë të mira në një send që ju e urreni.” (Nisa: 19)

O Zoti ynë! Na i fal gabimet tona dhe na bë prej besimtarëve të mirë me moral të bukur. Amin

Be the first to comment

Leave a Reply