Dashuria dhe edukata ndaj Pejgamberit (a.s)

Nga: Imam Lavdrim Hamja – Kenosha, 21 tetor 2011

I gjithë falënderimi i qoftë Allahut (xh.sh), Zotit të botëve, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit, i Cili thotë në Kur’an: “Ne, nuk të dërguam ndryshe, (o Muhammed) vetëm se mëshirë për të gjitha botët”.

Paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të dashurin tonë, Pejgamberin (a.s), i cili ka treguar se njeriu do të jetë në xhenet me atë që ka dashur në dynja, duke thënë:“Njeriu do të jetë me atë që ka dashur në dynja”.

Paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi familjen e tij, mbi shokët dhe mbi të gjithë ata që ecin në rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Është urdhër qiellor dhe detyrë prej Allahut (xh.sh) që çdo mysliman të dojë, të nderojë dhe të respektojë të Dërguarin e Allahut, Pejgamberin (a.s). Për këtë kemi argument ajetin kuranor, ku Allahu (xh.sh) thotë:

) إِنَّا أَرْسَلْنَاكَ شَاهِداً وَمُبَشِّراً وَنَذِيراً (8) لِتُؤْمِنُوا بِاللَّهِ وَرَسُولِهِ وَتُعَزِّرُوهُ وَتُوَقِّرُوهُ وَتُسَبِّحُوهُ بُكْرَةً وَأَصِيلاً (9) إِنَّ الَّذِينَ يُبَايِعُونَكَ إِنَّمَا يُبَايِعُونَ اللَّهَ يَدُ اللَّهِ فَوْقَ أَيْدِيهِمْ فَمَنْ نَكَثَ فَإِنَّمَا يَنْكُثُ عَلَى نَفْسِهِ وَمَنْ أَوْفَى بِمَا عَاهَدَ عَلَيْهُ اللَّهَ فَسَيُؤْتِيهِ أَجْراً عَظِيماً (10)

“Ne të dërguam ty dëshmitar, përgëzues dhe qortues.  Që ju t’i besoni Allahut dhe të dërguarit të Tij dhe atë ta përkrahni e ta respektoni, e (Allahun) ta madhëroni për çdo mëngjes e mbrëmje.  Ata që ta japin besën ty, në të vërtetë ata ia japin besën Allahut.  Dora e Allahut është mbi duart e tyre. E kush e thyen besën, ai e thyen vetëm në dëm të vetes së tij, e kush e zbaton besën e dhënë Allahut, Ai do t’i japë atij shpërblim të madh”. (Feth: 8- 10)

Allahu i madhëruar na e dërgoi Pejgamberin (a.s) që të jetë dëshmitar i jonë dhe të na përgëzojë, ndërsa tua tërheq vëmendjen atyre që largohen nga rruga e tij dhe nuk e pasojnë atë. Gjithashtu Allahu kërkon prej nesh që ta përkrahim dhe ta respektojmë në mënyrën dhe formën e duhur.

Si të mos e përkrahim, të mos e duam dhe të mos e respektojmë kur ai është më i dashur dhe më i dhembshur për ne, se sa ne për vetet tona. A nuk thotë Zoti i madhëruar në Kur’an, duke na treguar se si Pejgamberi (a.s) ndjen dhembshuri dhe keqardhje për ne?

النَّبِيُّ أَوْلَى بِالْمُؤْمِنِينَ مِنْ أَنْفُسِهِمْ وَأَزْوَاجُهُ أُمَّهَاتُهُمْ

“I dërguari i do më shumë besimtarët, se sa ata veten e tyre. Gratë e tij janë nënat e tyre”. (Ahzabë: 6)

Përsëri Zoti i madhëruar thotë:

لَقَدْ جَاءَكُمْ رَسُولٌ مِنْ أَنفُسِكُمْ عَزِيزٌ عَلَيْهِ مَا عَنِتُّمْ حَرِيصٌ عَلَيْكُمْ بِالْمُؤْمِنِينَ رَءُوفٌ رَحِيمٌ (128)

“Juve ju erdhi i dërguari nga mesi juaj. Atij i vjen keq për vuajtjet tuaja dhe ndjen dhembshuri për ju. E ai për besimtarët është i butë dhe i mëshirshëm”. (Teube: 128)

 

Ky është Pejgamberi (a.s), i cili na donte aq shumë, saqë asnjëherë nuk e largonte mendjen nga umeti i tij. Ky është i Dërguari i Allahut, i cili po lexonte në Kur’an fjalët e Ibrahimit (a.s) dhe të Isait (a.s) dhe tha: O Zoti im, si do të jetë halli i umetit tim!

قرأ صلى الله عليه وسلم يوماً قول اللـه فى إبراهيم: ( رَبِّ إِنَّهُنَّ أَضْلَلْنَ كَثِيرًا مِنَ النَّاسِ فَمَنْ تَبِعَنِي فَإِنَّهُ مِنِّي وَمَنْ عَصَانِي فَإِنَّكَ غَفُورٌ رَحِيمٌ ) [ ابراهيم: 36 ]

وقرأ قول اللـه فى عيسى:( إِنْ تُعَذِّبْهُمْ فَإِنَّهُمْ عِبَادُكَ وَإِنْ تَغْفِرْ لَهُمْ فَإِنَّكَ أَنْتَ الْعَزِيزُ الْحَكِيمُ )[ المائدة: 118 ].

فبكى صلى الله عليه وسلم فأنزل اللـه إليه جبريل عليه السلام وقال: باجبريل سل محمد ما الذى يبكيك؟ – وهو أعلم-، فنزل جبريل وقال: ما يبكيك يا رسول اللـه؟ قال أمتي.. أمتي يا جبريل، فصعد جبريل إلى الملك الجليل. وقال: يبكى على أمته واللـه أعلم، فقال لجبريل: انزل إلى محمد وقل له إنا سنرضيك فى أمتك ) رواه مسلم .

Një ditë Pejgamberi (a.s) po lexonte fjalën e Allahut (xh.sh) të Ibrahimit (a.s):“O Zoti im, ata kanë shmangur shumë njerëz (nga rruga e drejtë). Ai që më pason mua, është i fesë sime; e ai që më kundërshton mua, – Ti, pra, me të vërtetë, je Falës dhe Mëshirues. ( Ibrahim: 36)

Dhe lexoi fjalën e Allahut (xh.sh) të Isait (a.s): “Nëse Ti i dënon ata – robërit e Tu janë, e nëse i falë ata, me të vërtetë, vetëm Ti je i Plotfuqishëm dhe i Gjithëdijshëm. (Maide: 118)

Pejgamberi (a.s) qau dhe Allahu (xh.sh) dërgoi Xhebrailin (a.s) dhe i tha: Pyete Muhammedin, përse po qan? Megjithëse Allahu e di më mirë – Zbriti Xhebraili dhe i tha: Çfarë të bën të qash o i Dërguar i Allahut? Tha: Umeti im, umeti im, o Xhebrail. U ngjit Xhebraili tek Allahu (xh.sh) dhe i tha: Qan për umetin e tij, megjithëse Allahu e di më mirë. Allahu (xh.sh) i tha Xhebrailit: Shko te Muhammedi dhe thuaj se Ne do ta bëjmë të jetë i kënaqur për umetin e tij.”(Muslim)

Vëllezër dhe motra besimtarë, si të mos e duam dhe të mos e respektojmë dhe të mos e nderojmë të Dërguarin tonë, Muhammedin (a.s), i cili edhe në momentet e fundit të jetë së tij qante dhe thoshte:

“Sa më ka marrë madhi për vëllezërit e mi!”. Njerëzit e pyetën: A nuk jemi ne vëllezërit e tu? Tha: “Jo, ju jeni shokët e mi, ndërsa vëllezërit e mi janë njerëz, të cilët do të vinë pas meje, më besojnë mua, por pa më shikuar me sy”.

Por, si ta duam dhe ta nderojmë Pejgambein (a.s)? Atëherë, le të marrim shembull prej shokëve të tij, të cilët e deshën, e nderuan, e respektuan, e përkrahën dhe e mbështetën në atë mënyrë dhe formë, që sado ne të mundohemi kurrë nuk do të mundemi të bëjmë sa kanë bërë sahabet për Pejgamberin (a.s).

Ja disa shembuj nga jeta e tyre.

عن عمر بن العاص رضي الله عنه قال: ((و ما كان أحد أحبّ إليّ من رسول الله صلى الله عليه و سلم، و لا أجلّ في عينيّ منه، و ما كنت أملأ عينيّ منه إجلالاً له، و لو سئلت أن أصفه ما أطقت، لأني لم أكن أملأ عينيّ منه)). (رواه مسلم)

Transmetohet nga Amër ibn Al-As (r.a) se ka thënë: “Askush nuk ka qenë më i dashur dhe më i nderuar në sytë e mi për mua, se sa i Dërguari i Allahut (a.s). Asnjëherë nuk i kam ngopur sytë duke e shikuar, në shenjë respekti ndaj tij. Sikur të më thotë dikush që ta përshkruaj të Dërguarin e Allahut, nuk do të mund, sepse asnjëherë nuk i kam ngopur sytë duke e shkuar”! (Muslim)

و لما أذنت قريش لعثمان بن عفان في الطواف بالبيت حين وجهه النبي صلى الله عليه و سلم في القضية أبى و قال: ((ما كنت لأفعل حتى يطوف به رسول الله صلى الله عليه و سلم). (انظر: سير أعلام النبلاء)

Kur Pejgamberi (a.s) dërgoi Uthmanin (r.a) të negociojë me Kurejshitët në ngjarjen e Hudejbijes, ata i dhanë leje Uthmanit (r.a) të bëjë tavaf përreth Qabes, ndërsa ai refuzoi dhe tha: Asnjëherë nuk do të bëj tavaf, pa e bërë më parë i Dërguari i Allahut (a.s).

عن أنس بن مالك رضي الله عنه قال: ((كانت أبواب النبي صلى الله عليه و سلم تقرع بالأظافر)). (رواه البخري في الأدب المفرد)

Enes ibn Maliku (r.a) tregon se: Dyert e Pejgamberit (a.s) trokiteshin me thonj(si respekt ndaj tij për të mos e shqetësuar, ose bezdisur).

((قيل للعباس رضي الله عنه: أنت أكبر أو النبي صلى الله عليه و سلم؟ قال: هو أكبر، و أنا ولدت قبله!))

Ndërsa kur dikush e pyeti Abasin (r.a): Kush është më i madh, ti apo i Dërguari i Allahut? Ai tha: Ai është më i madh, por unë kam lindur përpara tij.

Një ditë Umeri (r.a) i tha Pejgamberit (a.s):

عمر بن الخطاب قال للنبي صلى الله عليه وسلم ” لأنت يا رسول الله أحب إلي من كل شيء إلا من نفسي . فقال : لا والذي نفسي بيده ، حتى أكون أحب إليك من نفسك . فقال له عمر : فإنك الآن والله أحب إلي من نفسي . فقال : الآن يا عمر

O i Dërguar i Allahut, ti je më i dashur për se çdo gjë tjetër, përveç vetes time. Pejgamberi (a.s) i tha: “Jo pasha Atë që shpirti im është në dorën e tij, derisa të jem më i dashur për ty edhe se nga vetja jote.” Umeri tha: Tani ti je, pasha Allahun më i dashur për mua edhe se vetja ime. Pejgamberi (a.s) i tha: “Tani po, o Umer.”

Shikoni se çfarë edukate dhe dashurie kishin shokët e Pejgamberit (a.s) me të Dërguarin e Allahut. A jemi ne në gjendje të ecim në rrugën e tyre, duke u sjellë mirë dhe me edukatë ndaj Profetin tonë, Muhammedit (a.s). A dëshirojmë të fitojmë shefatin e tij, faljet e tija, qëndrimin në xhennet pranë tij, dhembshurinë, butësinë, mëshirën dhe dëshminë e tij në ditën e kijametit se jemi prej ummetit të tij?

Sigurisht që është e vërtetë se Pejgamberi (a.s) nuk është më sot i gjallë mes nesh, por ne përsëri kemi mundësi dhe duhet ta respektojmë dhe të sillemi ndaj tij, ashtu siç janë sjellë sahabet me të.

Dhe mënyra e vetme është ta duam dhe ta pasojmë atë në të gjithë jetën tonë. Të biem sa më shumë salavat për mbi të dhe të punojmë sa më shumë prej syneteve të tij.

Prandaj, le të fillojë që sot, të ecim në këto porosi, ku ai ka thënë:

Ebu Hurejrete (r.a.) transmeton se Pejgamberi (a.s.) ka thënë: “Besimi (Imani) është shtatëdhjetë e ca pjesë, edhe turpi është prej besimit”. (Buhariu, Muslimi)

Ebu Musa (r.a.) transmeton se disa shokë thanë: O i Dërguar i Allahut! Cili Islam është më i mirë? Pejgamberi (a.s.) tha: “Prej të cilit myslimanët janë të qetë prej gjuhës dhe dorës së tij”. (Buhariu, Muslimi)

Abdullah ibn Mes’udi (r.a.) transmeton se Pejgamberi (a.s.) ka thënë: “Ofendimi (sharja) e myslimanit është fisk (mëkat), ndërsa vrasja e tij kufr (mosbesim)”.(Buhariu, Muslimi)

Ibn Umeri (r.a.) transmeton se Pejgamberi (a.s.) ka thënë: “Mjerë për ju, mjerë për ju, mos u ktheni pas meje jobesimtarë, duke goditur dhe vrarë njëri-tjetrin”.  (Buhariu, Muslimi)

Allahut të madhëruar i kërkojmë të na drejtojë në rrugën e drejtë, të na udhëzojë në traditën e të Dërguarit të Tij dhe të na shpërblejë me shefeatin dhe qëndrimin në xhennet me Pejgamberin tonë të dashur, Muhammedin paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të, mbi familjen e tij, mbi shokët dhe mbi të gjithë ata njerëz që ecin në rrugën e tij deri në ditën e Gjykimit. (Amin).

Be the first to comment

Leave a Reply