Mëshira dhe falja e Allahut për robërit e Tij

Nga: Imam Lavdrim Hamja – Kenosha, 15 korrik 2011

 Falënderimi i plotë i qoftë vetëm Allahut, Krijuesit të gjithësisë, i Cili thotë në Kur’an:غَافِرِ الذَّنبِ وَقَابِلِ التَّوْبِ شَدِيدِ الْعِقَابِ ذِي الطَّوْلِ ۖ لَا إِلَٰهَ إِلَّا هُوَ ۖ إِلَيْهِ الْمَصِيرُ “Ai është Falësi i gabimeve, Pranuesi i pendimit, por edhe Ndëshkuesi i Rreptë dhe i Plotfuqishmi. Nuk ka zot tjetër, përveç Tij dhe tek Ai është përfundimi”. Paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë për mbi të Dërguarin tonë, Muhammedin (a.s) i cili ka thënë: “Kush thotë La ilahe il-lallah do të hyjë në xhenet”.Paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë për mbi familjen e Pejgamberit (a.s), për mbi shokët e tij dhe për mbi të gjithë ata që ecin me mirësi në rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Në 100 pjesë e ka ndarë mëshirën Zoti (xh.sh). Dhe a e dini se vetëm një pjesë të mëshirës e ka shpërndarë nëpër të gjitha krijesat e Tij, me të cilën të gjithë këto krijesa mëshirohen mes vete dhe mëshirojnë njëri-tjetrin? Ndërsa 99 pjesët e tjera të mëshirës Zoti (xh.sh) i ka ruajtur për t’i mëshiruar robërit e Tij në ditën e Kiametit. Pejgamberi (a.s) na tregon duke thënë:

عَنْ أَبِي هُرَيْرَةَ ، عَنْ رَسُولِ اللَّهِ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ , قَالَ : ” إِنَّ للَّهِ عَزَّ وَجَلَّ مِائَةَ رَحْمَةٍ , أَنْزَلَ مِنْهَا رَحْمَةً وَاحِدَةً بَيْنَ الْجِنِّ وَالإِنْسِ وَالْبَهَائِمِ وَالْهَوَامِ فَبِهَا يَتَعَاطَفُونَ وَبِهَا يَتَرَاحَمُونَ وَبِهَا عَطَفَتِ الْوَحْشُ عَلَى أَوْلادِهَا , وَأَخَّرَ تِسْعًا وَتِسْعِينَ رَحْمَةً لِنَفْسِهِ يَرْحَمُ بِهَا عِبَادَهُ يَوْمَ الْقِيَامَةِ ” . (البخاري و مسلم)

“Allahu ka 100 rahmete, mëshira. Një prej këtyre mëshirave e ka zbritur mes xhinëve dhe njerëzve dhe mes kafshëve. Me këtë mëshirë ata mëshirohen mes vete, madje edhe egërsira mëshiron të vegjlit e saj, ndërsa Allahu ka mbajtur për Vete 99 mëshirat e tjera për t’i mëshiruar robërit e Tij në Ditën e Kiametit.” (Buhariu dhe Muslim)

Nuk ka dyshim se të gjithë ditët janë ditë e Zotit dhe të gjithë muajt janë muajt e Zotit, por Allahu (xh.sh) i ka caktuar disa “dhurata” për robërit e Tij në disa ditë dhe muaj të veçantë. Megjithëse, besimtari i vërtetë nuk bëhet rob i ditës, natës, apo muajit. Ai është besimtari i vërtetë gjatë gjithë vitit dhe gjithë jetës së tij.

Vëllezër dhe motra besimtarë, kemi arritur në gjysmën e muajit Shaban, muaj në të cilin mëshira dhe falja e Zotit është e pakufishme. Në këtë muaj, dhe pikërisht në gjysmën e tij që jemi, është një natë e madhërueshme, ku mëshira dhe falja e Zotit përfshin çdo njeri, i cili e beson Zotin Një, pa i shoqëruar Atij asnjë gjë nga krijesat e Tij dhe për çdo njeri, i cili nuk ka urrejtje dhe zili me personat e tjerë.

Pejgamberi (a.s) thotë:

عن معاذ بن جبل رضي الله عنه، عن النبي صلى الله عليه وسلم قال: ((يطلع الله إلى جميع خلقه ليلة النصف من شعبان فيغفر لجميع خلقه إلا لمشرك أو مشاحن)) [رواه الطبراني وابن حبان وهو حديث صحيح].

“Në natën e gjysmës së muajit Shaban, Allahu (xh.sh) i shikon të gjitha krijesat e Tij dhe i fal të gjithë ata, përveç atij që i bën shok Zotit dhe atij që ka urrejtje për të tjerët.” (Tabarani dhe Ibn Hibani, hadith sahih).

Në këtë natë robi i Zotit duhet ta pastrojë zemrën e tij nga këto dy të këqija, të cilat e largojnë nga falja e Zotit të tij, nga shirku dhe nga urrejtja. Sepse këto dy lloj njerëzish me të vërtetë nuk e meritojnë mëshirën dhe faljen e Zotit derisa t’i pastrojnë zemrat e tyre. I pari nuk është në rregull me Krijuesin e tij, ndërsa i dyti nuk është në rregull me krijesat e Zotit. Prandaj, jo vetëm në këtë natë të begatë, por gjithmonë besimtari duhet ta pastrojë zemrën nga shirku, urrejtja, zilia, armiqësia etj.

Besimtari duhet ta bëjë një vepër të mirë vetëm për hir të Zotit, të pastër nga çdo gjë tjetër, për të arritur kënaqësinë dhe shpërblimin e duhur. Pejgamberi (a.s) kishte frikë shirkun e vogël, ku njerëzit i bëjnë veprat e tyre për tu dukur në sytë e njerëzve dhe jo për kënaqësinë e Zotit. Ai thotë:

قال صلى الله عليه وسلم: ((“إن أخوف ما أخاف عليكم الشرك الأصغر” قالوا وما الشرك الأصغر يا رسول الله قال “الرياء يقول الله عز وجل إذا جزى الناس بأعمالهم اذهبوا إلى الذين كنتم تراؤون في الدنيا فانظروا هل تجدون عندهم جزاء” رواه أحمد.

“Gjënë e vetme që kam frikë për ju është shirku i vogël.” Çfarë është shirku i vogël, o i Dërguar i Zotit? Tha: “Hipokrizia. Allahu (xh.sh) kur do t’i shpërblejë njerëzit sipas veprave të tyre do tu thotë këtyre personave: Shkoni tek ata për të cilët keni punuar në dynja dhe shikoni se a do të gjeni shpërblim tek ata?”. (Ahmed)

Është e vërtetë që Pejgamberi (a.s) i ka dalluar disa ditë, apo net dhe disa muaj të veçantë, por Ai (a.s) i ka dalluar ato për rëndësinë e tyre që kanë, duke mos neglizhuar në ditët e tjera dhe jo siç bëjnë sot një pjesë e mirë e myslimanëve, të cilët mendojnë se vetëm me një ditë, apo një natë në të gjithë vitin mund të plotësojnë boshllëkun e lënë pas gjatë gjithë vitit.

عن أسامة بن زيد رضي الله عنهما قال: قلت يا رسول الله: لم أرك تصوم من شهر من الشهور ما تصوم من شعبان؟ قال : ((ذاك شهر تغفل الناس فيه عنه، بين رجب ورمضان، وهو شهر ترفع فيه الأعمال إلى رب العالمين، وأحب أن يرفع عملي وأنا صائم)) [رواه النسائي].

Usame ibn Zejd (r.a) tregon se: E pyeta Pejgamberin (a.s) duke i thënë: O i Dërguar i Allahut, nuk të kam parë të agjërosh ndonjë muaj, siç agjëron muajin Shaban? Tha: “Ky është muaj, që shumica e njerëzve e harrojnë, ose janë të pakujdesshëm, mes muajit Rexhep dhe Ramazan. Në këtë muaj veprat ngrihen për tek Zoti i botëve dhe kam dëshirë që kur veprat e mia të ngrihen të jem agjërueshëm.” (Nesaiu)

Pejgamberi (a.s) agjëronte çdo ditë të hënë dhe të enjte, jo se këto dy ditë janë më të mira se ditët tjera, por sepse në këto dy ditë hapen dyert e xheneti duke u ngritur në qiell veprat dhe punët që bënë njeriu për një javë dhe ai kishte dëshirë që t’i agjëronte, pra të jetë agjërueshëm në atë kohë që veprat e tija janë tek Zoti (xh.sh) për tu pranuar, ose për tu refuzuar.

في صحيح مسلم عن أبى هريرة رضي الله عنه مرفوعا: ((تفتح أبواب الجنة يوم الاثنين والخميس، فيغفر لكل عبد لا يشرك بالله شيئا إلا رجلا كانت بينه وبين أخيه شحناء فيقول: انظروا هذين حتى يصطلحا))

Ebu Hurejra (r.a) transmeton se Pejgamberi (a.s) ka thënë: “Çdo ditë të hënë dhe të enjte hapen dyert e xhenetit dhe falet çdo rob, i cili nuk i bën Zotit shirk, përveç njeriut, i cili ka urrejtje dhe armiqësi me një person tjetër. Atyre u thuhet: Mos ua pranoni punët këtyre personave derisa të pajtohen.” (Muslim)

Vëllezër dhe motra besimtarë, a nuk është gjynah që njeriu të largohen prej kësaj mëshire dhe falje të madhe të Zotit? Përse besimtari nuk i shfrytëzon këto porosi të Zotit, por vazhdon me kokëfortësinë e tij, duke ndenjur larg mëshirës dhe faljes së Zotit? Përse nuk i përgjigjet thirrjes së Krijuesit, ku Ai thotë:

“O ti qenie e bindur! Kthehu te Zoti yt i kënaqur dhe i nënshtruar. Hyr në turmën e robërve të Mi dhe hyr në xhenetin Tim.”

A e shikoni se sa butë, ëmbël dhe me mëshirë Zoti (xh.sh) u drejtohet robërve të Tij, të cilët qëndrojnë larg nga Ai, sikur i thotë: Përse qëndron larg Meje o ti njeri? Afrohu te Unë, bashkoju me besimtarët dhe hyr në xhenet, të cilin e kam përgatitur për ty. Mos u mashtro prej kësaj bote, sepse prej saj nuk do të marrësh asgjë me vete, as në varr dhe as në botën tjetër. Shpejto, nxito dhe mos prit atë moment kur do të vijë exheli, afati i dorëzimit të shpirtit, nuk je i përgatitur dhe do të thuash: O Zot, më jep edhe pak afat, sa t’i rregulloj punët që kam lënë pa bërë. “Zoti nuk e vonon asnjë njeri kur atij t’i vijë afati i vdekjes.”

Vërtet njerëzit dikur nuk kanë pasur shkollë, por ata ndoshta kanë qenë më të zgjuar se sa një pjesë e mirë e njerëzimit sot. Ata pa pasur shkollë kanë pyetur se si të shpëtojnë prej një dite të vërtetë, ku çdo njeri do ta shijojë atë ditë.

Dëgjoni me vëmendje se si një beduin shkon te Pejgamberi (a.s) dhe e pyet:

وعن أبى هريرة ا أَنَّ أَعْرَابِيًّا أَتَى النَّبِيَّ صلى الله عليه وسلم فَقَالَ دُلَّنِي عَلَى عَمَلٍ إِذَا عَمِلْتُهُ دَخَلْتُ الْجَنَّةَ قَالَ: «تَعْبُدُ اللَّهَ لَا تُشْرِكُ بِهِ شَيْئًا وَتُقِيمُ الصَّلَاةَ الْمَكْتُوبَةَ وَتُؤَدِّي الزَّكَاةَ الْمَفْرُوضَةَ وَتَصُومُ رَمَضَانَ قَالَ وَالَّذِي نَفْسِي بِيَدِهِ لَا أَزِيدُ عَلَى هَذَا فَلَمَّا وَلَّى قَالَ النَّبِيُّ صلى الله عليه وسلم مَنْ سَرَّهُ أَنْ يَنْظُرَ إِلَى رَجُلٍ مِنْ أَهْلِ الْجَنَّةِ فَلْيَنْظُرْ إِلَى هَذَا»(البخاري و مسلم).

Ebu Hurejra (r.a) tregon: Një njeri erdhi te Pejgamberi (a.s) dhe i tha: Më trego për një punë, të cilin në qoftë se e veproj do të hyjë në xhenet. Pejgamberë (a.s) i tha: “Adhuroje Allahu dhe mos i shoqëro Atij asgjë. Fale namazin farz, jepi zeqatin farz dhe agjëro muajin e Ramazanit”. Beduini tha: Pasha Atë që shpirti im është në dorën e Tij nuk kam për t’i shtuar gjë këtyre që më the. Kur beduini u largua, Pejgamberi (a.s) tha: “Kush dëshiron të kënaqet duke parë një njeri prej xhenetit, le të shikojë atë person.” (Buhariu dhe Muslim)

Mëshirë, mëshirë e pafundme për secilin njeri, i cili tregohen i kujdesshëm dhe nuk mashtrohet prej kësaj bote. Nuk mashtrohet prej pasurisë, prej shëndetit, prej pozitës, prej rinisë dhe prej fuqisë së përkohshme.

Të mos harrojmë se çdo ditë që kalon kjo botë, na shkurtohet me një ditë jeta jonë. Të mos harrojmë se sado që njeriu nuk e mendon vdekjen, ajo nuk harron dhe patjetër një ditë do të na trokasë në derën e shpirtit tonë duke na thënë: Dil o shpirt nga ajo banesë që je dhe vazhdo për në një banesë tjetër. Mjaft më për ty, të mbaroi orari i punës, tani eja dhe prit për të marr shpërblimin e veprave tuaja. Në qoftë se ke vepruar mirë, do të shpërblehesh mirë, por në qoftë se ke neglizhuar dhe ke vepruar keq, atëherë shijo ndëshkimin e asaj që vetë ke punuar.

“Kush punon një vepër të mirë, sado e vogël qoftë ajo, atë do ta shikojë. Dhe kush punon një vepër të keqe, sado e vogël qoftë ajo, edhe atë do ta shikojë.” “Allahu nuk bën as më të voglën padrejtësi.”

Vëllezër dhe motra besimtarë, jemi në natën e mëshirës dhe faljes së Allahut dhe njëkohësisht po afrohemi drejt një muaji me mëshirë dhe falje të pakufishme, kështu që po e mbylli këtë ligjëratë me ajetin, me të cilin shokët e Pejgamberit (a.s) e kanë quajtur ajetin më të gëzueshëm dhe më shpresëdhënësin, ku Allahu i Mëshirshëm thotë:

قُلْ يَا عِبَادِيَ الَّذِينَ أَسْرَفُوا عَلَىٰ أَنفُسِهِمْ لَا تَقْنَطُوا مِن رَّحْمَةِ اللَّهِ ۚ إِنَّ اللَّهَ يَغْفِرُ الذُّنُوبَ جَمِيعًا ۚ إِنَّهُ هُوَ الْغَفُورُ الرَّحِيمُ

“Thuaj: O robërit e Mi, të cilët e keni ngarkuar me shumë gabime veten tuaj! Mos e humbi shpresën në mëshirën e Allahut. Allahu i fal të gjithë gabimet. Ai është shumë Falës dhe shumë Mëshirues.” (Zumer: 53)

Le t’i drejtohemi Allahut me përulje dhe nënshtrim duke i kërkuar të na i falë gabimet tona dhe të na mëshirojë. O Zoti ynë, na fal neve, na pastro prej gabime dhe na mëshiro. Me të vërtetë Ti je Mbrojtësi ynë. Amin

Be the first to comment

Leave a Reply