“Nëse e ndihmoni Allahun, Ai ju ndihmon juve dhe ju forcon këmbët tuaja”

Nga: Imam Lavdrim Hamja – Kenosha, 18 mars 2011

Falënderimi i plotë dhe më i madhërishëm i takon Allahut, Zotit të botëve. Salavatet dhe selamet, paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë për mbi të Dërguarin dhe të Dashurin tonë, Muhammedin (a.s).

“Nëse e ndihmoni Allahun, Ai ju ndihmon juve dhe ju forcon këmbët tuaja”.

Allahu fuqiplotë u ka premtuar robërve të Tij besimtarë se do t’i ndihmojë kundër armiqve të tyre duke thënë:

(يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا إِنْ تَنْصُرُوا اللَّهَ يَنْصُرْكُمْ وَيُثَبِّتْ أَقْدَامَكُمْ) (محمد:7)

“O ju që keni besuar! Nëse e ndihmoni Allahun, Ai ju ndihmon juve dhe ju forcon këmbët tuaja.” (Muhammed: 7). Ky është premtimi i Zotit, i Cili nuk e thyen asnjëherë premtimin e Tij:

(وَمَنْ أَوْفَى بِعَهْدِهِ مِنَ اللَّهِ) (التوبة: من الآية111)

“Kush e mban më shumë premtimin, se sa Allahu?” (Tevbe: 111), “Premtimi i Allahut dhe Allahu nuk e thyen premtimin e Tij, por shumica e njerëzve nuk e dinë.”(Rum: 6).

Vëllezër dhe motra besimtarë, premtimi i Allahut, për fitore dhe ndihmë është i vërtetë dhe patjetër do të vijë, sepse vetë Ai ka thënë:

(وَلَنْ يَجْعَلَ اللَّهُ لِلْكَافِرِينَ عَلَى الْمُؤْمِنِينَ سَبِيلاً) (النساء: من الآية141)

“Allahu asnjëherë nuk do t’i lejojë jobesimtarët të sundojnë mbi besimtarët.” (Nisa: 141)

Këto premtime të Allahut (xh.sh) kanë disa kushte, të cilat duken qartë nga ajete e sipërpërmendura. Kështu që të fitohet ndihma dhe fitorja e Allahut, duhet patjetër që ne ta ndihmojmë Allahun, duhet patjetër që ne t’i zbatojmë me përpikëri dhe seriozitet urdhrat, detyrat dhe fjalët e Tij. Duhet ne patjetër të jemi të bindur dhe të nënshtruar plotësisht ndaj Tij. A jemi ne besimtarë të vërtetë, të cilëve Allahu iu ka premtuar fitoren dhe ndihmën e Tij? Në këtë gjendje që jemi ne myslimanët sot dhe në këtë realitet që përjetojmë çdo ditë, a e meritojmë atë ndihmë dhe fitore? Ja, kush janë besimtarët, të cilët Allahu iu ka premtuar ndihmën dhe fitoren, ata janë të cilësuar në Kur’an, ku Zoti (xh.sh) thotë:

(بسم الله الرحمن الرحيم) قَدْ أَفْلَحَ الْمُؤْمِنُونَ (1) الَّذِينَ هُمْ فِي صَلاتِهِمْ خَاشِعُونَ (2) وَالَّذِينَ هُمْ عَنْ اللَّغْوِ مُعْرِضُونَ (3) وَالَّذِينَ هُمْ لِلزَّكَاةِ فَاعِلُونَ (4) وَالَّذِينَ هُمْ لِفُرُوجِهِمْ حَافِظُونَ (5) إِلاَّ عَلَى أَزْوَاجِهِمْ أوْ مَا مَلَكَتْ أَيْمَانُهُمْ فَإِنَّهُمْ غَيْرُ مَلُومِينَ (6) فَمَنْ ابْتَغَى وَرَاءَ ذَلِكَ فَأُوْلَئِكَ هُمْ الْعَادُونَ (7) وَالَّذِينَ هُمْ لأَمَانَاتِهِمْ وَعَهْدِهِمْ رَاعُونَ (8) وَالَّذِينَ هُمْ عَلَى صَلَوَاتِهِمْ يُحَافِظُونَ (9) أُوْلَئِكَ هُمْ الْوَارِثُونَ (10) الَّذِينَ يَرِثُونَ الْفِرْدَوْسَ هُمْ فِيهَا خَالِدُونَ (11)

“Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit. Kanë shpëtuar besimtarët, të cilët e falin namazin me frikë-respekt, të cilët largohen ndaj fjalëve të kota, të cilët e japin zekatin, të cilët e ruajnë nderin e tyre, përveç ndaj bashkëshorteve dhe ndaj robëreshave të tyre, për të cilat nuk kanë gjynah. Por, kush kërkon diçka tjetër pos kësaj, ata janë mëkatarë. (Kanë shpëtuar ata) të cilët i zbatojnë dhe i mbajnë amanetet dhe premtimet e tyre dhe të cilët e falin rregullisht namazin. Këta janë trashëgimtarët, ata të cilët do ta trashëgojnë Firdeusin, në të cilin do të jenë përgjithmonë.” (Muminun: 1-11)

Ja pra, këta janë cilësitë e besimtarëve, të cilët e meritojnë ndihmën dhe fitoren e Allahut në këtë botë, por edhe kënaqësinë dhe xhenetin e Tij në botën tjetër.

Prandaj myslimanët sot, janë në gjendje të vështirë dhe të përulur, sepse ata nuk i kanë cilësitë e duhura për të marrë ndihmën dhe fitoren e premtuar. Jo të gjithë e falin rregullisht namazin, pastaj edhe një pjesë e atyre që falen, në çfarë forme e falin namazin? Thjeshtë për të kryer detyrën, duke bërë disa lëvizje fizike, apo përqendrohen me frikë-respekt në namaz, duke kërkuar udhëzim, falje, fuqi, ndihmë, mbrojtje, forcim etj. prej namazit? Shikoni kur mbaron namazi, veçanërisht ditë e xhuma, pa mbaruar mirë selami, njerëzit kanë dalë nga dera e xhamisë dhe ia kanë nisur muhabetit, sikur nuk ishin duke falë namaz, por sikur të kishin qenë në debat, koncert apo diçka tjetër, por jo namaz! Jo vetëm kaq, por nuk lënë të falen dhe të përmendin të qetë, pjesën tjetër të besimtarëve, të cilët vazhdojnë synetet e Pejgamberit (a.s).

Po të flasim për zekatin, sa pasuri zotërojnë myslimanët, sa pasuri iu ka dhënë Allahut atyre, por sa përqind e tyre e japin zekatin? Më lehtë e kanë të shpenzojnë për kafe, për dëfrime, madje edhe haram, për teprime të çfarëdo lloji qofshin ato, se sa të paktën të japin zekatin, se për të kontribuar në rrugët e bamirësisë, të paktë janë ata, “përveç atë që Zoti e mëshiron.”

Nuk i themi këto fjalë për rënë në pesimizëm, por ky është realiteti i hidhur i myslimanëve të sotëm. Prandaj, vuajmë dhe do të vuajmë në qoftë se nuk kthehemi dhe i praktikojmë në mënyrën e duhur mësimet dhe parimet e fesë Islame.

Kur myslimanët ishin besimtarë të vërtetë, Allahu (xh.sh) i ndihmonte me melekë:

وَلَقَدْ نَصَرَكُمْ اللَّهُ بِبَدْرٍ وَأَنْتُمْ أَذِلَّةٌ فَاتَّقُوا اللَّهَ لَعَلَّكُمْ تَشْكُرُونَ (123) إِذْ تَقُولُ لِلْمُؤْمِنِينَ أَلَنْ يَكْفِيَكُمْ أَنْ يُمِدَّكُمْ رَبُّكُمْ بِثَلاثَةِ آلافٍ مِنْ الْمَلائِكَةِ مُنْزَلِينَ (124) بَلَى إِنْ تَصْبِرُوا وَتَتَّقُوا وَيَأْتُوكُمْ مِنْ فَوْرِهِمْ هَذَا يُمْدِدْكُمْ رَبُّكُمْ بِخَمْسَةِ آلافٍ مِنْ الْمَلائِكَةِ مُسَوِّمِينَ (125) وَمَا جَعَلَهُ اللَّهُ إِلاَّ بُشْرَى لَكُمْ وَلِتَطْمَئِنَّ قُلُوبُكُمْ بِهِ وَمَا النَّصْرُ إِلاَّ مِنْ عِنْدِ اللَّهِ الْعَزِيزِ الْحَكِيمِ (126)

“Allahu ju ndihmoi në Bedër kur ju ishit pak në numër. Kini frikë Allahun, në mënyrë që të falënderoni. Kur ju the besimtarëve: A nuk ju mjafton, që Zoti juaj t’ju ndihmojë me tre mijë engjëj të zbritur? Po, po në qoftë se duroni dhe bëheni të devotshëm menjëherë ju vinë, Zoti juaj ju zbret pesë mijë engjëj të njohur. Atë, Allahu nuk e bëri për tjetër, por përgëzim për ju dhe për t’ju qetësuar zemrat tuaja. Fitorja nuk është, vetëm se prej Allahut, Fuqiplotit, të Urtit.” (Ali Imran: 123-126)

Allahu (xh.sh) i ndihmoi myslimanët në Bedër, të cilët ishin të paktë në numër, por ata e meritonin ndihmën dhe fitoren, sepse aq sa kishin mundësi për të bërë, ata bënë, pastaj ju drejtuan me lutje dhe dua, të përulur dhe të përgjëruar Zotit t’i ndihmojë dhe Ai i ndihmoi menjëherë.

Vëllezër dhe motra besimtarë, a ka kush që është më i fortë se Allahu, më i pasur se Allahu, më premtues se Allahu, më i shpejtë se Allahu, më pranues se Allahu? Nuk ka dhe nuk do të ketë kurrë. Atëherë pra, pse të largohemi prej Tij dhe të humbasin edhe në këtë botë, por edhe në botën tjetër. Përse nuk bindemi plotësisht, por vazhdojmë në kokëfortësinë tonë, duke na ndjekur fatkeqësitë, hallet, problemet, vuajtjet, vështirësitë, diktaturat, udhëheqësit zullumqarë, vrasësit, hajdutë, të cilën grabisin popujt e tyre me miliarda dhe miliarda dollarë etj.

Vërtetë, Allahu (xh.sh) ka thënë:

وَقَالَ رَبُّكُمْ ادْعُونِي أَسْتَجِبْ لَكُمْ

“Zoti juaj ka thënë: Mu lutuni dhe Unë ju përgjigjem.” Por Pejgamberi (a.s) thotë:

ثم ذكر الرجل يطيل السفر أشعث أغبر يمد يده إلى السماء: يا رب ! يا رب ! ومطعمه حرام ومشربه حرام وملبسه حرام وغذي بالحرام فأنى يستجاب له ؟

“Allahu është i mirë dhe nuk pranon vetëm atë që është e mirë… Pastaj përmendi një njeri, i cili kishte udhëtuar gjatë, i pluhurosur dhe i lodhur duke ngritur duart lart drejt qiellit: O Zot! O Zot! Por ushqimi i tij ishte haram, pija e tij ishte haram, veshja e tij ishte haram, madje edhe ishte ushqyer (rritur) me haram, si do t’i pranohej lutja atij?

يا غلام ، إني أعلمك كلمات : احفظ الله يحفظك ، احفظ الله تجده تجاهك ، إذا سألت فاسأل الله ، وإذا استعنت فاستعن بالله ، واعلم أن الأمة لو اجتمعت على أن ينفعوك بشيء ، لم ينفعوك إلا بشيء قد كتبه الله لك ، وإن اجتمعوا على أن يضروك بشيء لم يضروك إلا بشيء قد كتبه الله عليك ، ( رفعت الأقلام وجفت الصحف)

“O tij djalosh! Po t’i mësoj disa fjalë: Ruaje Allahun, Ai do të ruaj ty. Ruaje Allahun, Atë do ta gjesh përballë teje. Në qoftë se lutesh, lutu vetëm Allahut. Në qoftë se kërkon ndihmë, kërko ndihmë prej Allahut. Dije se, sikur i gjithë umeti të mblidhen për të të ndihmuar në diçka, ata nuk do të bëjnë dobi, vetëm aq sa ta ka shkruar Allahu dhe sikur ata të mblidhen për të të dëmtuar me diçka, ata nuk do të munden, vetëm aq sa mund ta ketë shkruar Allahu.” (Tirmidhiu, sahih)

Vëllezër dhe motra besimtarë, sa të nevojshëm jemi ne sot për ndihmën dhe fitoren e Zotit tonë! Sa të lodhur dhe të dërrmuar jemi prej padrejtësive dhe zullumeve, të cilat bëhen çdo ditë në kurrizin tonë! Sa të varfër jemi, me gjithë të mirat dhe pasuritë që Zoti na ka dhënë në tokat dhe vendet tona, por të cilat po na grabiten dhe vidhen çdo ditë! Sa të dobët dhe të pafuqishëm jemi, ndaj tiranëve dhe zullumqarëve, të cilët kanë mbirë në çdo vend! Prandaj, a nuk ka ardhur koha që me zemra, me fjalë dhe me vepra, sinqerisht, të penduar dhe të përulur të kthehemi drejt Zotit Fuqiplotë dhe Ngadhënjyes, në mënyrë që të ndihmohemi prej Tij dhe të bëhemi krenarë me fenë dhe me besimin tonë? Rralla është e jona, neve na takon të lëvizim dhe të ndryshojmë, pastaj do të lindin rrezet e ndihmës dhe të fitores, por gjithmonë në qoftë se shkojmë drejt lindjes së diellit dhe jo drejt perëndimit të tij.

(يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا إِنْ تَنْصُرُوا اللَّهَ يَنْصُرْكُمْ وَيُثَبِّتْ أَقْدَامَكُمْ) (محمد:7)

“O ju që keni besuar! Nëse e ndihmoni Allahun, Ai ju ndihmon juve dhe ju forcon këmbët tuaja.” (Muhammed: 7). Ky është premtimi i Zotit, i Cili nuk e thyen asnjëherë premtimin e Tij.

O Zoti ynë! Na udhëzo në rrugën Tënde. Na i fal gabimet dhe na ndihmo me fuqinë dhe me fitoren Tënde. Amin, vel hamdu lil-lahi rabbil alemin.

Be the first to comment

Leave a Reply