Isai (a.s), mrekullia a Allahut dhe i Dërguari i Tij

Nga: Imam Lavdrim Hamja – Kenosha, 23 dhjetor 2011

I Madhëruar qoftë Allahu, i Cili është Një, i Vetëm dhe nuk ka shok. Lavdi i qoftë Zotit, i Cili thotë në Kur’an:

يَا أَهْلَ الْكِتَابِ لَا تَغْلُوا فِي دِينِكُمْ وَلَا تَقُولُوا عَلَى اللَّـهِ إِلَّا الْحَقَّ ۚ إِنَّمَا الْمَسِيحُ عِيسَى ابْنُ مَرْيَمَ رَسُولُ اللَّـهِ وَكَلِمَتُهُ أَلْقَاهَا إِلَىٰ مَرْيَمَ وَرُوحٌ مِّنْهُ ۖ فَآمِنُوا بِاللَّـهِ وَرُسُلِهِ ۖ وَلَا تَقُولُوا ثَلَاثَةٌ ۚ انتَهُوا خَيْرًا لَّكُمْ ۚ إِنَّمَا اللَّـهُ إِلَـٰهٌ وَاحِدٌ ۖ سُبْحَانَهُ أَن يَكُونَ لَهُ وَلَدٌ ۘ لَّهُ مَا فِي السَّمَاوَاتِ وَمَا فِي الْأَرْضِ ۗ وَكَفَىٰ بِاللَّـهِ وَكِيلًا ﴿١٧١﴾

“O ithtar të Librit mos e teproni në fenë tuaj dhe mos thoni për Allahun, përveçse atë që është e vërtetë. Mesihu, Isai, i biri i Merjemes nuk është tjetër, veçse i Dërguar i Allahu dhe Fjala e Tij e hedhur te Merjemja dhe shpirt nga Ai. Prandaj, besoni Allahut dhe të Dërguarve të Tij dhe mos thoni: Tre. Ndaloni, është më mirë për ju. Me të vërtetë Allahu është Një. I lartësuar është Ai që të ketë ndonjë fëmijë. …” (Nisa: 171)

Paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë për mbi të dashurin tonë, Pejgamberin (a.s), i cili ka thënë:

أنا أولى الناس بعيسى بن مريم في الدنيا والآخرة، والأنبياء أخوة لعلات، أمهاتهم شتى ودينهم واحد ) .البخاري(

“Unë jam personi më i afërt me Isain, të birin e Merjemes, në dynja dhe në ahiret, sepse Pejgamberët janë vëllezër të një familje me nëna të ndryshme, por feja e tyre është një.” (Buhariu)

Paqja dhe shpëtimi i Allahut, qoftë për mbi Ehli Bejtin e Resulullahit, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ecin në rrugën e tij me drejtësi dhe pa e tepruar, deri në Ditën e Gjykimit.

Vëllezër dhe motra besimtarë, sot, me ndihmën e Zotit do të flasim për një nga mrekullitë e Allahut, për të dërguarin e Tij, Isain (a.s), të birin e Merjemes (a.s), sepse një nga shtyllat e Besimit është edhe të  besuarit e të gjithë Pejgamberëve që Allahu (xh.sh) ka dërguar për njerëzimin.

Allahu Fuqiplotë kur dëshiron diçka, i thotë: “Bëhu dhe ajo bëhet menjëherë” kështu qe edhe lindja e Isait (a.s).

Ai (a.s) është një nga pesë Pejgamberët e mëdhenj, “Ulul azmi”, i cili rrjedh nga familja e Imranit e vazhdon pejgamber pas pejgamberi, nga Sulejmani, Davudi deri tek Ishaku e Ibrahimi (a.hm).

Zanafilla fillon nga lutja e nënës së Merjemes (a.s), gruas së Imranit e cila iu drejtua Allahut (xh.sh) duke i thënë:

إِذْ قَالَتِ امْرَأَتُ عِمْرَانَ رَبِّ إِنِّي نَذَرْتُ لَكَ مَا فِي بَطْنِي مُحَرَّرًا فَتَقَبَّلْ مِنِّي ۖ إِنَّكَ أَنتَ السَّمِيعُ الْعَلِيمُ ﴿٣٥﴾

“Kur gruaja e Imranit tha: “O Zoti im, unë kam bërë nijet fëmijën që kam në bark ta përkushtoj Ty, prandaj pranoje nga unë. Me të vërtetë Ti je Dëgjuesi, i Dijshmi.” (Ali Imran: 35) Allahu i Madhëruar ia pranoi lutjen, duke i dhuruar vajzë, të cilën e quajti Merjem.

Duke ditur se, te Beni Israilët ishte traditë që djemtë të shërbenin në faltore dhe t’i përkushtoheshin rrugës së adhurimit dhe jo vajzat, gruaja e Imranit u dëshpërua për lindjen e vajzës, sepse ajo mendonte se nuk mundet vajza t’i përkushtohet faltores dhe adhurimit, por Allahu (xh.sh) ia pranoi përkushtimin e saj, duke e bërë Merjemen të veçantë dhe të dalluar prej të gjitha grave të botës.

فَتَقَبَّلَهَا رَبُّهَا بِقَبُولٍ حَسَنٍ وَأَنبَتَهَا نَبَاتًا حَسَنًا

“Ia pranoi Zoti i saj me një pranim të mirë dhe bëri që të rritet e mirë.” (Ali Imran: 37) Kështu ndodh kur robi i Allahut i lutet Zotit me sinqeritet dhe me bindje të plotë, Ai ia pranon lutjen robit të Tij dhe i jep çfarë kërkon. A nuk thotë Allahu (xh.sh) në Kur’an: “Zoti juaj ka thënë: “Lutuni Mua, Unë ju përgjigjem juve.”? (Gafir: 60) Gjithashtu transmetohet nga Selman El-Farisiu (r.a) se:

عن سلمان رضي الله عنه قال : “إن الله يستحي أن يبسط العبد إليه يديه فيهما خيرا فيردهما خائبتين” . ” هذا إسناد صحيح على شرط الشيخين

“Allahut i vjen turp që robi i Tij t’ia shtrijë duar duke kërkuar diçka të mirë dhe t’ia kthejë bosh.” (Sahih)

Merjemja (a.s) qëndronte gjithë kohën në faltore duke adhuruar Allahun (xh.sh) dhe sa herë që Zekerija (a.s) shkonte për ta parë Merjemen, tek ajo gjente ushqim dhe ai i çuditur e pyeste:

كُلَّمَا دَخَلَ عَلَيْهَا زَكَرِيَّا الْمِحْرَابَ وَجَدَ عِندَهَا رِزْقًا ۖ قَالَ يَا مَرْيَمُ أَنَّىٰ لَكِ هَـٰذَا ۖ قَالَتْ هُوَ مِنْ عِندِ اللَّـهِ ۖ إِنَّ اللَّـهَ يَرْزُقُ مَن يَشَاءُ بِغَيْرِ حِسَابٍ ﴿٣٧﴾

“Sa herë që Zekerija hynte tek ajo, në mihrab, atje gjente ushqim. Ai tha: “O Merjem, nga të vjen ky ushqim?” Ajo tha: “Ai është prej Allahut. Me të vërtetë Allahu furnizon kë të dojë pa llogari.” (Ali Imran: 37) Duke parë mirësitë që Allahu (xh.sh) i jepte Merjemes, Zekerija (a.s) iu lut Allahut (xh.sh) duke thënë:

هُنَالِكَ دَعَا زَكَرِيَّا رَبَّهُ ۖ قَالَ رَبِّ هَبْ لِي مِن لَّدُنكَ ذُرِّيَّةً طَيِّبَةً ۖ إِنَّكَ سَمِيعُ الدُّعَاءِ ﴿٣٨﴾

“Atëherë, atje Zekerija iu lut Zotit të tij dhe tha: “O Zoti im, më jep Ti trashëgimtarë të mirë, me të vërtetë Ti je Dëgjues i lutjes.” (Ali Imran: 38) dhe me të vërtetë Allahu ia pranoi lutjen duke i dhënë djalë, Jahjanë (a.s).

Shikoni, vëllezër dhe motra, se si njeriu shikon mirësitë e Allahut te një person tjetër, jo me syrin e smirës dhe zilisë, siç bëjnë shumica e njerëzve sot, por ai i lutet Zotit të tij që t’i dhurojë prej mirësive të Tij dhe trashëgimtarë të mirë. Ndërsa sot, njerëzit në vend që t’i luten Zotit për t’iu dhuruar begati dhe mirësi, ata kanë zili për njëri-tjetrin, prandaj ka humbur bereqeti dhe pasuria te njerëzit, sepse në zemrat e tyre kanë sëmundje dhe smirë për të mirat që Zoti (xh.sh) ia dhuron kujt të dojë prej robërve të Tij.

Allahu (xh.sh) na tregon në Kur’an se, si dërgoi Xhebrailin (a.s) te Merjemja për ta përgëzuar për lindjen e një djali, Isain (a.s). Sigurisht që edhe për vet Merjemen (a.s) ishte diçka, jo vetëm e çuditshme, por edhe shumë e rënde dhe e habitshme.

قَالَ إِنَّمَا أَنَا رَسُولُ رَبِّكِ لِأَهَبَ لَكِ غُلَامًا زَكِيًّا ﴿١٩﴾ قَالَتْ أَنَّىٰ يَكُونُ لِي غُلَامٌ وَلَمْ يَمْسَسْنِي بَشَرٌ وَلَمْ أَكُ بَغِيًّا ﴿٢٠﴾ قَالَ كَذَٰلِكِ قَالَ رَبُّكِ هُوَ عَلَيَّ هَيِّنٌ ۖ وَلِنَجْعَلَهُ آيَةً لِّلنَّاسِ وَرَحْمَةً مِّنَّا ۚ وَكَانَ أَمْرًا مَّقْضِيًّا ﴿٢١﴾

“Ai (Xhibrili) tha: “Unë jam vetëm i dërguar i Zotit tënd për të dhuruar ty një djalë të pastër”. Ajo tha: “Si do të kem unë djalë, kur nuk më ka prekur njeri, e as nuk kam qenë e pamoralshme”. Ai (Xhibrili) tha: “Ja, kështu ka thënë Zoti yt; ajo për Mua është lehtë, e për ta bërë atë argument për njerëzit e edhe mëshirë nga ana e Jonë. Kjo është çështje e kryer!” (Merjem: 19-21)

Lindja e Isait (a.s) pa baba, për një pjesë të botës është diçka e çuditshme, madje disave prej tyre i duket si e jashtëzakonshme, por ata nxitojnë dhe nguten duke mos menduar aspak në krijimin e njeriut të parë, Ademit (a.s). shikoni, se si Allahu (xh.sh) ua tërheq vëmendjen këtyre lloj njerëzve, duke i thirrur të mendojnë se:

إِنَّ مَثَلَ عِيسَىٰ عِندَ اللَّـهِ كَمَثَلِ آدَمَ ۖ خَلَقَهُ مِن تُرَابٍ ثُمَّ قَالَ لَهُ كُن فَيَكُونُ ﴿٥٩﴾

“Shembulli i Isait tek Allahu është sikur shembulli i Ademit. E krijoi atë prej dheut, pastaj i tha: “Bëhu dhe menjëherë u bë.” (Ali Imran: 59) Krijimi i njeriut nga Allahu është bërë në katër forma: Njeriu i krijuar pa nënë dhe pa babë, Ademi (a.s). Njeriu i krijuar pa nënë, Havaja (a.s). Njeriu i krijuar pa babë, Isai (a.s). Dhe njeriu i krijuar prej një nëne dhe prej një babe, ashtu siç kemi lindur dhe lindin të gjithë njerëzi e thjeshtë.

Por, ku qëndron mrekullia e Isait (a.s)?

Mrekullia e parë e tij është se, ai ka lindur pa baba.

Ndërsa mrekullia e dytë është të folurit e tij që foshnje. Allahu (xh.sh) na tregon përmes ajeteve kuranore se si Merjemja (a.s) e mori djalin e porsalindur dhe shkoi te njerëzit, të cilët kur e panë me fëmijë në dorë u habitën dhe thanë:

يَا أُخْتَ هَارُونَ مَا كَانَ أَبُوكِ امْرَأَ سَوْءٍ وَمَا كَانَتْ أُمُّكِ بَغِيًّا ﴿٢٨﴾ فَأَشَارَتْ إِلَيْهِ ۖ قَالُوا كَيْفَ نُكَلِّمُ مَن كَانَ فِي الْمَهْدِ صَبِيًّا ﴿٢٩﴾ قَالَ إِنِّي عَبْدُ اللَّـهِ آتَانِيَ الْكِتَابَ وَجَعَلَنِي نَبِيًّا

“O motra e Harunit, babai jot nuk ka qenë njeri i keq dhe as nëna jote nuk ka qenë e pamoralshme. Ajo i bëri me shenjë nga ai. Ata thanë: Si mund t’i flasim një foshnje të sapolindur? Ai tha: Unë jam robi i Allahut, Ai më ka dhënë librin dhe më ka bërë pejgamber.” (Merjem 28-29)

Mrekullitë e tjera janë shërimi i sëmundjeve të ndryshme, kthimi i shikimit të verbërve dhe dhënia jetë shpendëve prej balte dhe ringjallja e njerëzve të vdekur. Të gjitha këto mrekulli janë të vërtetuara në Kur’an, ku Allahu (xh.sh), duke na treguar për të vërtetën e Isait (a.s) thotë kështu:

وَرَسُولًا إِلَىٰ بَنِي إِسْرَائِيلَ أَنِّي قَدْ جِئْتُكُم بِآيَةٍ مِّن رَّبِّكُمْ ۖ أَنِّي أَخْلُقُ لَكُم مِّنَ الطِّينِ كَهَيْئَةِ الطَّيْرِ فَأَنفُخُ فِيهِ فَيَكُونُ طَيْرًا بِإِذْنِ اللَّـهِ ۖ وَأُبْرِئُ الْأَكْمَهَ وَالْأَبْرَصَ وَأُحْيِي الْمَوْتَىٰ بِإِذْنِ اللَّـهِ ۖ وَأُنَبِّئُكُم بِمَا تَأْكُلُونَ وَمَا تَدَّخِرُونَ فِي بُيُوتِكُمْ ۚ إِنَّ فِي ذَٰلِكَ لَآيَةً لَّكُمْ إِن كُنتُم مُّؤْمِنِينَ ﴿٤٩﴾

“Dhe e bëri profet për Beni Israilët dhe unë “Po ju sjell një argument nga Zoti juaj: Do t’ju bëj diçka nga argjili në formë të zogut dhe do t’i fryj, e ai do të bëhet zog i vërtetë me lejen e Allahut. Do t’i shëroj edhe të verbrit dhe të zgjebosurit, madje, me lejen e Allahut, do t’i ngjallë edhe të vdekurit. Do t’ju tregoj çka hani dhe çka fshihni në shtëpitë tuaja. Me të vërtetë, në këtë ka argument, në qoftë se jeni besimtarë. (Ali Imran: 49)

Mrekulli nga dora e Isait (a.s) është edhe tryeza nga qielli, të cilën ia kërkuan apostujt e tij dhe Allahu (xh.sh) ia pranoi kërkesën e tij duke thënë në Kur’an:

قَالَ عِيسَى ابْنُ مَرْيَمَ اللَّـهُمَّ رَبَّنَا أَنزِلْ عَلَيْنَا مَائِدَةً مِّنَ السَّمَاءِ تَكُونُ لَنَا عِيدًا لِّأَوَّلِنَا وَآخِرِنَا وَآيَةً مِّنكَ ۖ وَارْزُقْنَا وَأَنتَ خَيْرُ الرَّازِقِينَ ﴿١١٤﴾

“Isai, biri i Merjemes tha: O Allah, Zoti ynë, na zbrit një tryezë prej qiellit që të jetë festë për të parin dhe për të fundit prej nesh dhe argument prej Teje. Na furnizo ne, sepse Ti je Furnizuesi më i mirë.” (Maide: 114)

Vëllezër dhe motra besimtarë, është e pamundur që brenda një hytbeje të sjellim gjithë mrekullitë dhe historinë e Isait (a.s), por kush dëshiron që të mësojë më shumë, le të lexojë disa sure prej sureve të Kur’anit në të cilat Allahu (xh.sh) na tregon për Isain (a.s) si, Sureja Ali Imran, Nisa, Maide, Merjem etj.

Megjithatë, duke ditur se jemi në prag të festave të fundvitit, të cilat festohen prej të krishterëve është mirë që të hedhim sadopak dritë se, çfarë duhet të dijë një mysliman dhe si duhet të sillet ndaj ithtarëve të librit, veçanërisht ndaj të krishterëve, të cilët janë njerëzit më të dashur për myslimanët, siç thotë Allahu (xh.sh) në Kur’an:

وَلَتَجِدَنَّ أَقْرَبَهُم مَّوَدَّةً لِّلَّذِينَ آمَنُوا الَّذِينَ قَالُوا إِنَّا نَصَارَىٰ ۚ ذَٰلِكَ بِأَنَّ مِنْهُمْ قِسِّيسِينَ وَرُهْبَانًا وَأَنَّهُمْ لَا يَسْتَكْبِرُونَ ﴿٨٢﴾

“Ndërsa do të gjesh se më të afërmit si të dashur për besimtarët janë ata që thanë: “Ne jemi nesara- të krishterë”. Kjo, sepse ka prej tyre (të krishterëve) priftërinë dhe murgë dhe sepse ata nuk janë mendjemëdhenj. (Maide: 82)

Allahu (xh.sh) na mëson në Kur’an duke thënë:

وَلَا تُجَادِلُوا أَهْلَ الْكِتَابِ إِلَّا بِالَّتِي هِيَ أَحْسَنُ

“Dhe mos debatoni me ithtarët e librit, veçse në atë mënyrë që është më mirë.” (Ankebutë: 46) pra, nuk i lejohet asnjë myslimani që të ofendojë besimin e dikujt tjetër, sado që në syrin tonë mund të na duket i shtrembër dhe i devijuar, sepse kështu urdhëron Allahu (xh.sh) duke thënë:

وَلَا تَسُبُّوا الَّذِينَ يَدْعُونَ مِن دُونِ اللَّـهِ فَيَسُبُّوا اللَّـهَ عَدْوًا بِغَيْرِ عِلْمٍ ۗ كَذَٰلِكَ زَيَّنَّا لِكُلِّ أُمَّةٍ عَمَلَهُمْ ثُمَّ إِلَىٰ رَبِّهِم مَّرْجِعُهُمْ فَيُنَبِّئُهُم بِمَا كَانُوا يَعْمَلُونَ ﴿١٠٨﴾

“Dhe mos i shani ata, të cilët i lusin, përveç Allahut, sepse pastaj ata do të shajnë Allahun padrejtësisht dhe pa dituri. Kështu Ne jua kemi zbukuruar çdo populli punët e tyre, pastaj te Zoti i tyre është kthimi dhe Ai do t’i njoftojë për çfarë kanë punuar.” (En’am: 108)

Mikpritja dhe respekti kur ata na vizitojnë dhe vinë në xhami, por edhe ne njëkohësisht t’i vizitojmë në shtëpitë dhe kishat e tyre. Për këtë kemi argument dhe shembull synetin e Pejgamberit (a.s), i cili fillimisht, kur ishte në vështirësi dhe nën trysninë dhe vuajtjet e idhujtarëve, i dërgoi shokët e tij për të kërkuar mbrojtje dhe strehim nga një mbret i krishterë, në Abisini te Nexhashi. Por, edhe kur një delegacion i krishterë, i përbërë prej 60 të krishterëve erdhën për ta takuar Pejgamberin (a.s), e ai i priti dhe i nderoi në mënyrën më të mirë në xhami duke i lejuar që faljen dhe lutjen e tyre ta bënin po aty në xhami.

قُلْ يَا أَهْلَ الْكِتَابِ تَعَالَوْا إِلَىٰ كَلِمَةٍ سَوَاءٍ بَيْنَنَا وَبَيْنَكُمْ أَلَّا نَعْبُدَ إِلَّا اللَّـهَ وَلَا نُشْرِكَ بِهِ شَيْئًا وَلَا يَتَّخِذَ بَعْضُنَا بَعْضًا أَرْبَابًا مِّن دُونِ اللَّـهِ ۚ فَإِن تَوَلَّوْا فَقُولُوا اشْهَدُوا بِأَنَّا مُسْلِمُونَ ﴿٦٤

Thuaj: “O ithtarë të Librit, ejani në një fjalë të përbashkët për ne dhe për ju; që të mos adhurojmë dikë tjetër përveç Allahut, të mos i bëjmë shok Atij dhe të mos trajtojmë njëri-tjetrin si zotë në vend të Allahut. E nëse ata refuzojnë, atëherë thoni: “Dëshmoni se ne me të vërtetë jemi myslimanë”! (Ali Imran: 64)

O Allah, na udhëzo në rrugën e drejtë, na jep prej mirësive tuaja dhe mos na i shtrembëro zemrat pasi na ke udhëzuar, me të vërtetë Ti je Dhuruesi për gjithçka. Amin

 

Be the first to comment

Leave a Reply